Ukrainasit po përpiqen të çlirojnë qytetin e Khersonit pasi shkatërruan urën kryesore Antonivsky me raketa të blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas BBC, kjo do të thotë se mijëra ushtarë rusë rrezikohen të shkëputen plotësisht nga pjesa tjetër e territoreve të pushtuara. Kherson, i vendosur në perëndim të lumit Dnieper, ishte qyteti i parë që rusët pushtuan pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Më 26 korrik, ushtria ukrainase e prishi urën e përmendur dhe kështu, sipas burimeve ushtarake perëndimore, e bëri atë plotësisht të papërdorshme. Kjo është një nga dy urat kryesore për Kherson.

Ushtria ruse varej prej saj, sepse ajo transportonte gjithçka që i nevojitej përmes saj. Disa besojnë se qyteti ukrainas i lartpërmendur është një nga më të rëndësishmet politikisht për Moskën. Prandaj humbja e këtij qyteti do të ishte një goditje e madhe për Rusinë.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Oleksei Danilov, deklaroi se Rusia ka angazhuar numrin maksimal të ushtarëve në drejtim të Khersonit.

Burimet ruse thonë se tani duhet të përdorin ura ponton për t’u lidhur me pjesën tjetër të territorit të okupuar të Ukrainës. Kherson, i cili kishte 290 mijë banorë përpara fillimit të agresionit kundër Ukrainës, aktualisht qeveriset nga qeveria pro-ruse.

Gjithashtu është planifikuar të organizohet një referendum në të cilin do të vendoset nëse qyteti duhet të jetë zyrtarisht pjesë e Rusisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Rusinë se po përgatitet për aneksimin e të gjithë territorit të okupuar të Ukrainës.