Genci Kojdheli

Është kthyer tanimë në një konstante të përvitshme të socio-sferës shqiptare debati mbi çmimet (dhe abuzimet me çmimet) e industrisë së turizmit, me fokus të veçantë tek kostoja e përdorimit të infrastrukturës dhe shërbimeve turistike në aksin Vlorë – Himarë – Sarandë, që rastis të jetë dhe më i synuari nga vendasit dhe të huajt. Ky debat shpesh merr trajta anekdotiale, episodike dhe hiperbolike, me postime faturash “të çmendura”, krahasime me rajonin, Greqinë e Italinë fqinje, Maldivet, Dubain apo Tajlandën, dhe kërkesa e pretendime për “ndërhyrjen e shtetit”, “ndalimin e abuzimit”, etj.

Duhet qartësuar se në një ekonomi të lirë tregu, mundësia e shtetit për të kontrolluar çmimet e produkteve (qofshinë këto këpucë, çanta, dhoma hoteli, koktejle apo rizoto me fruta deti) është inekzistente dhe çdo tentativë për të aplikuar çmime ‘dysheme’ apo ‘tavan’ do ishte e pamundur sa në aspektin legjislativ aq edhe në atë të zbatueshmërisë në terren. Ky debat ka nevojë që të strukturohet e të ndahet qartë, në njërën anë sa i përket konsumatorit individual dhe aftësisë për të përballuar e për të shijuar shërbime turistike në Shqipëri, e në anën tjetër sa i përket turizmit si një industri dhe një përbërës themelor i strukturës ekonomike të vendit.

Caveat emptor!

Në këndvështrimin e një pushuesi (individ apo familje), debati mbi çmimet është i panevojshëm dhe deri diku i paarsyeshëm. Çmimi i shërbimeve është një mekanizëm vetërregullator i tregut dhe nuk mund të diskutohet vetëm nga pikëpamja e NJË përdoruesi përkarshi NJË strukture që ofron shërbime turistike. Cilësia e shërbimeve turistike dhe çmimi për këto shërbime është element diferencues mes vetë shërbimeve, dhe ka brenda elementë subjektivë që ndryshojnë nga individi në individ dhe nga njëri destinacion në një tjetër, si psh.: sa ‘i bukur’ është një plazh, sa “ekskluziv” është një beach-bar, sa ‘i veçantë’ është një koktejl, sa “e shijshme’ është një pjatë makarona, sa ‘i rehatshëm’ apo ‘VIP’ është një shezlong, dhe mbi të gjitha sa i gatshëm është një individ i caktuar të paguajë një shërbim të caktuar në një vend të caktuar. Gjithashtu, nuk duhet të vendosen në një emërues të përbashkët gjithë elementët objektivë e të matshëm, por njëkohësisht tepër të ndryshëm, si investimet kapitale të ndërtimit e të pajisjes së një strukture turistike, kosto e gjetjes, trajnimit dhe mbajtjes së krahut të punës, kosto e mallrave, energjisë, qirasë, kredisë, dhe kostot e tarifave e taksave qëndrore e vendore që secili operator duhet të mbajë mbi vete!

Të tentosh që qindra e mijëra hotele, bare, restorante e facilitete turistike në gjithë jugun e Shqipërisë t’i fusësh në të njëjtin thes për cilësinë dhe çmimin është gati-gati një përqasje komuniste mbi një produkt tërësisht kapitalist. Në këtë pikëpamje, është detyrë e blerësve, pra e pushuesëve, që të jenë të vëmendshëm e të kujdesshëm dhe të zgjedhin strukturën turistike që i përshtatet më mirë pritshmërive dhe aftësive të tyre paguese, duke konsultuar menytë përpara se të porosisin shërbimet, duke studiuar gjithë alternativat për shërbime të ngjashme në treg dhe duke zgjedhur më të përshtatshem, në linjë me aksiomën e vjetër latine “caveat emptor”, ose “blerësi të jetë i vëmendshëm”!

Nuk jemi të vetmit, madje e kundërta!

Në të njëjtën kohë, në një këndvështrim sistemik, një debat kombëtar publik mbi çmimet dhe cilësinë e produkteve turistike është jashtëzakonisht i nevojshëm e biles i domosdoshëm kur konsiderojmë rëndësinë strategjike që industria e turizmit ka brenda strukturës së ekonomisë së vendit dhe ndikimin që ajo ka tek punësimi, bujqësia, transporti dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Nëse do e analizonim në detaje teknike, mekanizmi i çmimit është elementi më i rëndësishëm brenda komponentëve të marketingut turistik, pasi është pikërisht ky mekanizëm që “vlerëson” cilësinë e produktit përmes kënaqësisë që i ofron blerësit si edhe fitimin që i garanton ofruesit të shërbimit. Por në të njëjtën kohë, çmimi i produkti turistik është gjithmonë i ndërthurur dhe ndërvarur nga elementë të tjerë po aq të rëndëishëm si infrastruktura, sistemi i transportit, pasuritë natyrore, historike, kulturore e artistike të destinacionit, niveli i profesionalizmit të stafit shërbyes, pastërtia e mjedisit, plazhit dhe ujit, tradita në kulinari, restoracion dhe enologji, e kështu me rradhë. Vendet lider të industrisë së turizmit në botë e në rajon (Francë, Itali e Spanjë, apo Greqi, Turqi e Kroaci) ofrojnë pikërisht një përzjerje të mirë të elementëve të lartpërmendur, dhe nuk janë rastësisht në pozicionin drejtues të industrisë.

Në këtë kontekst, është thelbësore që operatorët turistikë shqiptarë të identifikojnë e të dakordësojnë në shkallë të gjerë mbi profilin turistik që ata vetë (e rrjedhimisht bashkë me ta dhe i gjithë vendi) kanë arritur dhe do të synojnë që të mbajë në të ardhmen. Kjo është domosdoshmëri, pasi turizmi është një industri e cila bazohet shumë në të ashtuqujturin “perceptim të konsumatorit”, një përceptim i cili ndikon mbi zgjedhjet që turistët bëjnë për destinacionin, konsumin e produkteve të ofruara, çmimin që janë të gatshëm të paguajnë për këto produkte, vlerësimin që bëjnë dhe shpërndajnë tek të tjerët rreth destinacionit, dhe mbi të gjitha vendimin për t’u rikthyer aty. Perceptimi i konsumatorit është tërësisht subjektiv dhe në një botë globale ku informacioni dhe njerëzit lëvizin shumë shpejt, është dhe lehtësisht i shpërndashëm dhe i ndikueshëm. Nëse një destinacion turistik damkoset si “anomalisht i shtrenjtë”, ose me “raport jo të mirë cilësi/çmim”, efekti në numrat e turistëve mund të jetë i menjëhershëm dhe dëmi në imazh mund të jetë vështirësisht i rikuperueshëm. Në mënyrë që pozicionimi i Shqipërisë si destinacion turistik të mbetet konkurrues, produkti ynë turistik, në tërësinë e parametrave të lartpërmendur, duhet të perceptohet si i njëjtë ose i përafërt me konkurrentët (të cilët fatkeqësisht nuk na mungojnë), teksa çmimet duhet të perceptohen si më joshëse ose konkurruese me produkte të ngjashme, duke ruajtur një elasticitet dhe adaptueshmëri përkarshi periudhës kur një produkt i caktuar ofrohet me një çmim të caktuar dhe tipologjisë e segmentimit të konsumatorit të cilit ky produkt e ky çmim po i ofrohet.

E thënë më thjesht, pyetja që duhet t’i bëjë vetes çdo operator turistik është: pse shqiptari, ballkanasi apo europiani mesatar DUHET të zgjedhë Shqipërinë si destinacion? Kësaj pyetjeje i duhet dhënë një përgjigje duke qëndruar me këmbë në tokë, pa doza pseudopatriotizmi e hipernacionalizmi patetik dhe pa ngritur mite (dhe strategji të çmimit të produkteve e shërbimeve) mbi unicitetin e bukurinë e pashoqe të natyrës, virgjërinë e plazheve, tejdukshmërinë magjike të detit e kështu me rradhë. Asnjë nga konkurrentët e turizmit shqiptar në rajon nuk ka mungesë të natyrës së bukur, plazheve të pastra, qyteteve të vjetra apo rrënojave antike. Greqia ka 13,600 km vijë bregdetare e mbi 300 ishuj të vizitueshëm, shoqëruar me një mori qytetesh e rrënojash antike dhe një histori që e njeh gjithë bota. Italia ka numrin më të madh të qyteteve në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s (58 të tilla), histori, art e kulturë të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër, dhe ndoshta kulinarinë dhe enologjinë më të famshme në botë. Kroacia ka një industri të zhvilluar turizmi prej viteve 70të, 3,000 plazhe të aksesueshme, një strukturë të mirëorganizuar të turizmit detar me jahte, tragete e varka, dhe qytete me famë botërore si Dubrovnik, Split e Trogir të veshura me trashëgimi romake, venedikase e austro-hungareze. Gjithë sa më lart gjendet në një radius jo më larg se 300-1,000 kilometra nga vendi ynë. Vlen të theksohet, sidoqoftë, se asnjë nga destinacionet e lartpërmendura nuk konsiderohet “i lirë në çmime”!

Shqipëria, në anën tjetër, është një vend relativisht i panjohur nga turisti europian e global, paraqet një përzjerje intriguese të historisë përmes ndikimeve romake, helene, bizantine, osmane dhe komuniste, dhe shfaq një element gati unik sa i përket harmonisë fetare, tolerancës ndaj tjetrit dhe mikpritjes e trajtimit me respekt e dashamirësi ndaj vizitorëve të huaj, të shoqëruar me një kuzhinë që përfaqëson një përzjerje interesante të elementëve mesdhetare, osmane e italiane. Pikërisht këto duhet të jenë avantazhet tona krahasuese, të cilat duhet të kombinohen më një politikë çmimesh konkurruese që reflekton zhvillimin aktual të vendit, nivelin e rrogave dhe kostot reale të ofrimit të shërbimeve, një zgjatje të sezonit turistik (mars – tetor) duke diversifikuar ofertën për klientët ballkanas e sidomos për konsumatorin shqiptar, synimin për të garantuar rikthim të vizitorit të huaj, si dhe qëndrueshmëri afatgjatë të sektorit. Në luftën për të marrë vëmendjen e turistit global e kontinental nuk jemi vetëm; madje jemi të rrethuar nga gjigantë të sektorit të cilët kanë dekada të tëra që operojnë në të njëjtën industri. Vetëm kur të kuptojmë dhe përbrendësojmë faktin se jemi lehtësisht të zëvendësueshëm, se produkti ynë turistik nuk është unik dhe se çmimi i tij mund të jetë sa ndjellës po aq dhe trembës, do kuptojmë edhe se qasja “kap ça të kapësh” në industrinë e turizmit nuk mund të funksionojë gjatë!