Nga Lorenc Vangjeli/

Me gjasë këtë javë do të marrë fund përpëlitja e Shqipërisë në dyert e Evropës. Një histori dramatike që mund të dëshmojë ndryshimet në vite të dorës që trokiste dhe të derës që refuzonte të hapej.

Në gjysmën e parë të viteve 90-të, Shqipëria mendohej se ishte në të njëjtin rresht në raport me Brukselin si Bullgaria dhe Rumania.

Etja shqiptare për BE-në ishte shndërruar në besim gati fetar, kurse Evropa e etur për zgjerim, ishte e gatshme të shihte dritë edhe aty ku problemet bënin hije. Por si për të verifikuar aksiomën tragjike për shqiptarët që janë armiqtë më të egër të vetë shqiptarëve, ëndrra do të bëhej shpejt makth.

Grisja e dhunshme e zgjedhjeve të 96-ës, kriza e fajdeve dhe lufta pothuaj civile e 97-ës dhe grushti grostesk i shtetit në 98-ën, e shmangën në mënyrë dramatike vendin nga “dogma” evropiane.

Aleanca natyrore e Shqipërisë me vizionin eurotlantik një vit më pas, gjatë Luftës së Kosovës solli shpresën që e grisën rishtazi në mënyrë të pabesueshme krizat ciklike të politikës lokale në vitet në vijim.

Një vend që krenohej me pluralitetin e besimeve fetare, me tolerancën ndaj mënyrës së lutjes, formës së tempujve të besimit dhe mbi të gjitha, emrit të ndryshëm që i jepej një Zoti të vetëm, vazhdoi të mbetet peng i një pluralizmi arkaik politik: nga një anë probleme inekzistente mes një besimtari musliman dhe të krishtërëve katolikë dhe ortodoksë, por sherre “ekzistenciale” mes majtëve dhe të djathtëve, në anën tjetër.

Ky kontrast fatal ndodhte në sfondin e një Evrope që po lodhej nga zgjerimi, një klubi gjysëm të vetëkënaqur që refuzonte jo gjithmonë më mirësjellje grindavecët e përhershëm dhe që në vend të vlerave që kërkonte dikur për bashkim, identifikonte cenet që kushtëzonin diferencat.

Në të gjithë këtë rrugëtim, Shqipëria ishte sa viktimë e vetes, aq edhe e ndryshimeve thelbësore që po ndodhnin në hapësirën evropiane. Prirja fatale e shqiptarit për t’ju kthyer gjithmonë modeleve të vjetra, bërja më shumë se një herë e të njëjtit gabim të vjetër, refuzimi për të nxjerrë mësime nga pësimet e dhembshme dhe synimi shpesh qesharak për të ndryshuar duke mbetur në thelb gjithmonë e njëjta gjë, është fatura lokale e një vonese tragjike në kthimin e Shqipërisë në identitetin e saj evropian.

Tre vëllezërit e mëdhenj të politikës, Berisha, Meta dhe Rama, njëlloj si muratorët që premtonin të ndërtonin Rozafën e dikurshme, ju ndodhte si mallkim që të murosnin shpresat e vendit. Të paktën kështu mendonte rregullisht njëra gjysëm e shqiptarëve, përkundër gjysmës tjetër që e shihte armikun përballë.

Nuk ka ndonjë vlerë domethënëse tentativa për të gjetur se cili mes tyre është më fajtor se tjetri dhe kush ndër ta është më i suksesshëm ndër të tre. E rëndësishme është të kuptohet që lufta për pushtet mes tyre, shpesh ka parë si sakrificë të parë, shpresën për një Shqipëri normale.

Vonesat tragjike dhe aksidentet historike, deformimet në vizion dhe prapakthimet në rrugëtim, shpesh kanë qenë rregull dhe jo përjashtim.

Edi Rama që ka përsëritur pa u lodhur në këto vite fabulën e martesës së Shqipërisë me Brukselin dhe vonesën e krushqve që janë në hallin e tyre, do të jetë kryeministri që do të celë negociatat.

Njohës i mirë i historisë dhe me një këmbë në kapitujt modernë të saj, kryeministri di mirë se Shqipëria mbërrin në këtë ditë nga disa martesa të gabuara. Duke nisur numërimin e tyre me ato të shekullit të shkuar, me jugosllavë dhe rusë, me kinezë dhe me shkusi islamike.

Vendi ka njohur dhe dy përdhunime barbare, njëri që i zgjati nja pesë shekuj nga otomanët dhe tjetri 50 vjet nga komunistët e Hoxhës së paudhë. Për tre dekada tranzicion, vetë shqiptarët që trashëguan lackën dhe plackën e atdheut, u sollën me atdheun si zotër të një malli pa zot.

Shqipëria moderne është një vend që ka sherr sa herë ka zgjedhje, ka korrupsion dhe hendek të frikshëm social në shoqëri, ka një ish-kryeministër të shpallur të padëshirueshëm nga SHBA, një tjetër ish-kryeministër që i numërojnë regullisht tualetet e shtëpisë në plazh dhe një kryeministër që në rastin më të mirë, ka pothuaj të gjitha atributet e një monarku të pashpallur; ka pasur një aradhë të pafundme me gjykatës mëkatarë që silleshin si kadinjtë e dikurshëm dhe ka kaluar nga një pushtet kriminal si ai i Hoxhës, në një pushtet që ndikohet nga kriminelët e rrugës. Kjo tablo që mund ta vizatojë cilido pesimist edhe në javën më optimiste të Shqipërisë në vite, plotësohet me ikje masive nga vendi, si në një ngut amoku që e kërkon Evropën aty ku është dhe jo këtu ku do të duhej të ishte.

Ende nuk ka një projekt të qartë se cfarë duhet bërë që të rinjtë të mos kthehen në Shqipëri vetëm për të qarë në varret e gjyshërve të tyre, por që të rrinë në Shqipëri për t’i bërë mbesat dhe nipërit e atyre gjyshërve, qytetarë krenarë të Evropës në Shqipëri.

Ka vetëm një përgjigje të përgjithshme për pyetjen që Rilindasi i dikurshëm bënte për Shqipërinë: Cdo të bëhet? Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, të parët që duhet të ndryshojmë në thelb, janë vetë shqiptarët. Shansi ekziston, dhëntë Zoti që mbron Shqipërinë, ai Zot qe flet shqip, që ky shans të mos humbë më!