Një prokuror spanjoll po kërkon një dënim me 8 vjet burg për Shakirën për një rast mashtrimi fiskal prej 14.5 milionë eurosh. Këngëtarja, e cila ka shitur më shumë se 80 milionë disqe në mbarë botën me hite të tilla si Hips Don’t Lie, në fillim të kësaj jave refuzoi një ofertë marrëveshjeje nga zyra e prokurorit për mbylljen e çështjes. Ajo akuzohet se nuk ka paguar taksat midis viteve 2012 dhe 2014, periudhë në të cilën Shakira thotë se nuk ka jetuar në Spanjë.

Dokumenti i prokurorit, i parë nga Reuters, pohon se Shakira ishte banuese e zakonshme në Spanjë midis viteve 2012 dhe 2014 dhe në maj 2012 bleu një shtëpi në Barcelonë që u bë një shtëpi familjare për veten, partnerin e saj dhe djalin e tyre të lindur në Spanjë në vitin 2013. Dokumenti kërkonte një dënim me tetë vjet burg dhe një gjobë prej më shumë se 23 milionë euro nëse ajo shpallej fajtore. Asnjë datë për gjykim nuk është caktuar.

Të pyetur, përfaqësuesit e Shakira-s iu referuan një deklarate të mëparshme të lëshuar të mërkurën duke thënë se këngëtarja ishte “plotësisht e sigurt në pafajësinë e saj” dhe se ajo e konsideronte rastin “një shkelje totale të të drejtave të saj”. Këngëtarja 45-vjeçare tha se i ka paguar autoriteteve tatimore 17.2 milionë euro, të cilat zyra e taksave spanjolle tha se i kishte borxh dhe pretendoi se nuk kishte borxh të papaguar.