Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli pa nga afër situatën e plazheve publike dhe hapësirat e operatorëve privatë, në pikun e sezonit veror.

Nga kontrolli në terren u konstatua një situatë të mirë në pastrimin e mbetjeve, por, sipas tij, duhet punuar edhe më shumë si nga punonjësit e Bashkisë e në veçanti nga operatorët privatë për të mbajtur edhe më të pastra hapësirat.

Në qytetin e Pogradecit ka të paktën 5 hapësira publike për qytetarët dhe vizitorët, nga plazhi i “Uçkave” deri tek 1 Maji, në të cilat Bashkia premton se do të rrisë edhe më shumë kontrollin e pastrimin por u ka bërë thirrje qytetarëve të japin kontributin e tyre, në mbajtjen pastër të mjediseve.

Kryetari i Bashkisë, Xhakolli, u ka lënë detyra operatorëve private që të kujdesen edhe më shumë për pastrimin dhe zhvendosjen e mbetjeve.

Sa i përket sigurisë në plazhe, Bashkia dhe operatorët privatë kanë vendosur 5 kulla vrojtimi, të gjitha me vrojtues.