Prej ditësh ka filluar nje debat i forte mes Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Gent Gazhelit dhe botuesit Irfan Hysenbelliu, botues i Neës24, Balkanweb dhe Panorama, debat në të cilin u përfshi edhe kryeministri Edi Rama.

Publikimit të disa shkrimeve të mediave të Hysenbelliut që pretenton se në dogana ka 4 punonjës me rekorde kriminale sot Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i është përgjigjur me publikimin e 4 dëshmive të penalitetit, të gjeneruara nga shtetit grek. ‘Doganat’ sqarojnë se 4 dokumentet vërtetojnë se punonjësit nuk kanë asnjë të dhënë kriminale. Nderkohe qe me heret kete grup mediatik e kishte akuzuar per gjobvenie.

“Media e z. Irfan Hysenbelli u lëshua në një fushatë baltosje ndaj institucionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, fill pasi kjo e fundit vendosi të gjobisë një nga kompanitë e tij për evazion fiskal.

Pjesë e fushatës denigruese ishte akuza pa asnjë fakt se katër punonjës të institucionit tonë ishin të dënuar nga gjykatat greke. Pavarësisht se e sfiduam disa herë zotin Irfan Hysenbelli dhe median e tij, për të paraqitur qoftë edhe një provë të vetme për akuzën që ngrinin, ata kurrë nuk botuan një dokument të vetëm nga gjykata e vendit fqinj që fliste për dënimet e pretenduara nga Irfan Hysenbelli.

Kur DPD paraqiti dëshmitë e penalitetit shqiptare për katër punonjësit e Doganës, pavarësisht se barra e provës qëndron mbi akuzuesin, e jo te akuzuarin, media e zotit Irfan vazhdoi gjobëvënien dhe shtoi dozën e sulmit, duke kërkuar dëshmi penaliteti nga shteti grek, jo nga ai shqiptar.

Sqarojmë se nuk është detyrim i asnjë prej katër punonjësve të Doganave të provojnë se janë të pafajshëm. Është detyrim i zotit Irfan të provojë fajësinë e tyre. Por meqë zoti Irfan nuk e bëri kurrë këtë gjë, sot po i publikojmë ne katër dëshmitë e penalitetit të shtetit grek. Për t’u treguar shqiptarëve se ne respektojmë vetëm ligjin, si kur gjobisim një kompani në pronë të zotit Irfan për evazion fiskal, si kur mbrojmë punonjësit tanë, për sa kohë ata janë të padënuar”, thuhet në sqarimin e Drejtorisë së Doganave.