Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të dielën një doktrinë të re detare, e cila paraqet Shtetet e Bashkuara si rivalin kryesor të Rusisë dhe përcakton ambiciet globale detare për zona vendimtare si Arktiku dhe Deti i Zi.

Duke folur në Ditën e Marinës së Rusisë në Shën Petersburg, Putin vlerësoi Pjetrin e Madh për bërjen e Rusisë një fuqi të madhe detare dhe rritjen e pozitës globale të shtetit rus, shkruan Reuters.

Pas inspektimit të marinës, Putin mbajti një fjalim të shkurtër në të cilin paralajmëroi se Rusia kishte ndikimin ushtarak për të mposhtur çdo agresor të mundshëm.

Ai nënshkroi një doktrinë të re detare, e cila përcakton synimet e gjera strategjike të marinës ruse, duke përfshirë ambiciet e saj si një “fuqi e madhe detare” që shtrihet në të gjithë botën.

Kërcënimi kryesor për Rusinë, thotë doktrina, është “politika strategjike e SHBA-së për të dominuar oqeanet e botës” dhe lëvizja e aleancës ushtarake të NATO-s më afër kufijve të Rusisë.