Më pak se tre vjet më parë, Boris Johnson udhëhoqi konservatorët në fitoren e tyre më të madhe zgjedhore që nga viti 1987. Tashmë kryeministri humbi mbështetjen e deputetëve të tij dhe dha dorëheqjen. Por si erdhi situata deri këtu?

Çështja Chris Pincher

Të mërkurën, më 29 qershor, deputeti Chris Pincher, në atë kohë, zëvendëskryetari konservator shkoi në një klub privat anëtarësh në Londër. Sipas tij ai piu shumë dhe u turpërua para të gjithëve. Ai u akuzua se kishte ngacmuar dy burra, gjë që çoi në një mori akuzash, disa prej të cilave datonin vite më parë. Së pari, Downing Street tha se Johnson nuk ishte në dijeni të “pretendimeve specifike” në lidhje me zotin Pincher përpara se ta emëronte atë si zëvendës kryetar në shkurt. Ministrat e përsëritën më vonë këtë, edhe pse doli të ishte e pasaktë. Më 4 korrik, BBC raportoi se Johnson kishte dijeni për një ankesë zyrtare. Të nesërmen, një ish-nëpunës civil, Lord McDonald tha që kryeministrit i ishte thënë personalisht për ankesën. Johnson më pas pranoi se i ishte thënë në vitin 2019 dhe kërkoi falje për emërimin e zotit Pincher si zëvendës kryetar.

Skandali “Partygate”

Në prill të këtij viti, kryeministri u gjobit për thyerjen e rregullave anti-covid pasi mori pjesë në një festë në ditëlindjen e tij në qershor të vitit 2020. Ai gjithashtu kërkoi falje që shkoi në një festë në kopshtin e Downing Street gjatë bllokimit të parë prej përhapjes së COVID-19. Policia lëshoi ​​126 gjoba për 83 persona për thyerjen e rregullave të bllokimit në Downing Street dhe Whitehall. Dhjetorin e kaluar, Johnson i tha Commons se “të gjitha udhëzimet u ndoqën plotësisht”. Ai tani po hetohet nga një komitet i Commons nëse ka mashtruar me vetëdije të plotë Parlamentin.

Kriza e kostos së jetesës dhe rritja e taksave

Inflacioni është rritur ndjeshëm në vitin 2022, në normën aktuale prej 9.1%. Shumë cështje ishin jashtë kontrollit të Boris Johnson. Pushtimi rus i Ukrainës, për shembull, ka çuar në rritje të çmimeve të naftës dhe të kostos së ushqimeve.

Dhe, ndërsa qeveria ka ndërmarrë disa hapa – për shembull, duke ulur tarifën e karburantit me 5 p për litër, por kishte një rritje të taksave në prill. Sigurimi Kombëtar u rrit me 1.25 pens në paund. Qeveria tha se rritja e taksave do të paguante për kujdesin shëndetësor dhe social dhe ndryshimet që filluan këtë javë e zbutën goditjen, por kushdo që fiton më shumë se 34,000 paund në vit do të detyrohet të paguajë akoma më shumë. “Në mes të krizës më të keqe të kostos së jetesës për dekada“, tha lideri laburist Sir Keir Starmer në prill, “qeveria zgjedh të rrisë taksat për njerëzit që punojnë”.

Owen Paterson

Në tetor të vitit 2021, një komitet i Dhomës së Komunave rekomandoi një pezullim 30-ditor për deputetin e atëhershëm konservator Owen Paterson. Komiteti tha se ai theu rregullat e lobimit, në përpjekje për të përfituar kompanitë që e paguanin atë. Por konservatorët, të udhëhequr nga kryeministri votuan për të ndërprerë pezullimin e tij dhe ngritën një komitet të ri për të parë se si u kryen hetimet. Pas një proteste, Paterson përfundoi duke dhënë dorëheqjen. Johnson më vonë pranoi se ai kishte gabuar në trajtimin e tij të çështjes.

Mungesa e fokusit dhe ideve

Boris Johnson fitoi shumicën e tij dërrmuese në një politikë të qartë dhe të lehtë për t’u ndjekur. Por që atëherë, thanë kritikët e tij, kishte mungesë fokusi dhe idesh në Downing Street. Ish-këshilltari i tij i kthyer në kryekritik, Dominic Cummings, e akuzonte vazhdimisht se ishte “një karrocë pazari jashtë kontrollit”, duke u kthyer nga pozicioni në pozicion.

Të tjerë vunë në dyshim filozofinë e kryeministrit, ose, në të vërtetë, nëse ai e kishte një të tillë. Në qershor, deputeti konservator dhe ish-ministri Jeremy Hunt akuzoi Johnson për mungesë të “integritetit, kompetencës dhe vizionit”. Hunt foli përpara një votimi besimi, të cilin Johnson e fitoi, por ankesat po bëheshin më të forta./ BBC