Është i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe i përfshirë për aktivitet kriminal në disa raste të tjera, por Milan Radoijçiç, futet në Kosovë, dërgon mesazhe kërcënuese dhe askush nga institucionet e sigurisë së Kosovës nuk reagon.

Madje, duke e përjetuar si moment krenarie, Radoijçiç ka lëshuar edhe një mesazh me video, ku tregon për vendndodhjen e tij.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, thotë pos tjerash Radoijçiç.

Nënkryetari i Listës Serbe, po ashtu është vendosur në listën e të kërkuarve për rastin “Brezovica”.

Më 3 shkurt, Radojçiç kishte arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.

Radojiçiç ishte duke u futur në Kosovë nga Serbia kur u ndalua nga organet e rendit dhe në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim.

Në atë moment, ai kishte vozitur makinën e tij mbrapa dhe ishte arratisur për në Serbi.

Mediat e afërta me pushtetin në Serbi e kanë prezantuar videon e Radoijçiç si triumf i madh i serbëve.

“Makthi i shqiptarëve është kthyer në Kosovë”, kanë shkruar në Serbi.

“Edhe pse shqiptarët menduan se mund ta ndalonin qëndrimin në mesin e popullit tonë në Kosovë, Radoijçiç i përgënjeshtroi brutalisht”, thonë atje.

Pse ishte tërhequr urdhërarresti për arrestimin e Radojeçiç?

Në muajin mars të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës i kishte bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoijçiçit, i cili dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe Themelorja ia ka aprovuar.

Në aktvendim të Gjykatës, thuhej se “pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, konstatohet se kërkesa është e arsyetuar mirë”.

“Nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Gjykatë Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq më 23 nëntor të vitit të 2018, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit me qëllim të arrestimit të Milan Radoijçiç i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona.

Më tetë dhjetor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vënë sanksione edhe ndaj disa serbëve të Kosovës.

Serbi nga Kosova, Zvonko Veselinoviç bashkë me të vëllain e 10 persona të tjerë kanë hyrë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që janë të dyshuar për kryerjen e disa veprave që bien ndesh me ligjin e që kanë të bëjnë me krimin e organizuar e korrupsionin.

Emri i tij është përmendur shpesh kur bëhej fjalë për “të fortit” e pjesës Veriore të Mitrovicës, por së fundi Departamenti Amerikan i Shteteve të Bashkuara doli me një njoftim se këtyre personave u ka ndaluar hyrjen në SHBA.

Përveç Zvonko Veselinoviç, DASH ka njoftuar se ndalesa për të hyrë në SHBA u është vënë edhe Zharko Veselinoviç, të vëllait, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.