Për herë të parë, Berisha është cilësuar “njeri i ideve”, thënë kjo nga i biri i gazetarit ish-ZP-ist Fahri Balliu, ish-deputeti Klevis Balliu. Siç shkruan ky i fundit një ditë pasi Berisha u shpall “non grata” dhe nga Britania e Madhe, “Sali Berisha nuk është person, ai është ide kombëtare e sociale. Sali Berisha është histori”.

Berisha është histori, por jo e mbarë. Ndërkohë, të jesh njeri historik, në kuptimin pozitiv, do të thotë që më e pakta në memorien kolektive të kesh lënë dhe shumë thënie monumentale me urtësi morale e politike. Berisha s’ka asnjë në 30 vjet.

Sa për idetë, nuk dihet se për ç’ide e ka fjalën konkretisht i biri zërit mediatik më të fuqishëm të Berishës, pasi ish-presidenti dhe ish-kryeministri vetëm për ide s’është shquar ndonjëherë. Aq më pak sociale, kurrë politike dhe sigurisht asnjëherë kombëtare. Cilat janë nëse ka ose ka patur?

Berisha është histori akuzash por jo idesh. Duke qenë i tillë madje ka dhe një bilanc negativ elektoral në 30 vjet. Sepse njerëzit, në finale, tërhiqen nga idetë dhe jo akuzat.

Por ka një ide, për t’ia dhënë hakun, të cilën duhet ta dijë Balliu Junior: është ajo e mbjelljes së arrorëve, promovuar gjatë mandatit të dytë si kryeministër. Opozita e atëhershme socialiste u tall, ndoshta për faktin se ju duk e çuditshme që nga një njeri si Berisha të dilte një ide, aq më tepër në bujqësi. Dhe duhet thënë se kishte gjenialitet. Kishte madje dhe efekt në terren, pasi u mbollën goxha arrorë. Vijon dhe sot të mbillet.

Arrorët janë një industri milionash sot në tregun global të industrisë ushqimore.

Pra Berisha ka patur një ide por jo aq sa të quhet njeri idesh. E ka dënuar veten për t’u quajtur njeri akuzash. Ndaj dhe PD-ja është e gjitha një parti akuzash, duke qenë e gjitha Berisha, në gjuhë, frymë e metodë.

Në 13 vjet qeverisje totale, PD nuk përmend asnjë reformë si krenari politike.

As nga qeverisja lokale në vite, nuk ka një model krenarie me emrin e ndonjë kryebashkiaku. Pse? Sepse nuk investohet në ide!(Tesheshi)