Eugenio Scalfari, një nga emrat më të rëndësishëm në modernizimin e gazetarisë italiane, ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare.

Scalfari, gazetar dhe themelues i gazetës “La Repubblica”, pati një karrierë të gjatë dhe ikonike në fushën e gazetarisë. Në vitin 1955 kontribuoi në botimin e revistës javore “L’ Espresso”.

Në vitin 1967, gazetari, përmes investigimit të tij, denoncoi një plan për një grusht shteti ushtarak, të ekstremit të djathtë në Itali, ndërsa një vit më vonë u zgjodh deputet i pavarur i Partisë Socialiste Italiane.

Viti 1976 ishte viti kur “lindi” “La Repubblica”, ku Scalfari ishte jo vetëm themelues, por edhe drejtor.

“La Repubblica” u kthye pikë referimi në hapësirën progresive italiane, me tekstet e saj të drejtpërdrejta, frymën kritike dhe skicat e saj të veçanta.

Për shumë, “La Repubblica” ishte një gazetë revolucionare jo vetëm për gazetarinë italiane, por edhe europiane.

Eugenio Scalfari, në karrierën e tij të pasur, kritikoi rrënjësisht si veprimet e ish-kryeministrit socialist italian, Bettino Craxi, ashtu edhe Silvio Berlusconi-n, duke u nisur nga papajtueshmëria e veprimeve të tij në biznes dhe politikë.

Në vitin 1996 ai dha dorëheqjen si drejtor i gazetës që kishte krijuar dhe imponuar në realitetin politik, social dhe kulturor italian, por vazhdoi të punonte dhe të shkruante artikuj deri vonë, duke siguruar, ndër të tjera, dy intervista ekskluzive e të thelluara me Papa Françeskun.