Mediet botërore vijojnë t’i kushtojnë vëmendje të gjerë vrasjes që tronditi mbarë botën, atë të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe.

Ekzekutimi i ish-kryeministrit Abe në orët e para të mëngjesit të së premtes, teksa po zhvillonte një fushatë në qytetin Nara, tronditi Japoninë, por edhe politikën në të gjithë botën.

Në drejtim të tij u qëllua dy herë, por Aben e kapi plumbi i dytë, që më pas rezultoi fatal për të, pasi i mori jetën.

41-vjeçari Tetsuya Yamagami, i arrestuar në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, po qëndronte mbrapa Shinzo Abe, në një distancë të afërt.

Pas të shtënës së parë, Abe i cili po fliste, kthehet për të parë dhe në atë moment është qëlluar për herë të dytë, ku më pas ish-kryeministri ka rënë në tokë.

Yamagami u tha hetuesve pas arrestimit se mbante mëri ndaj një grupi të caktuar dhe se arsyeja që e çoi të kryente këtë akt ndaj ish-kryeministrit ishte se besonte se Abe ishte i lidhur me këtë grup.

Shinzo Abe cilësohej një nga politikanët me më shumë influencë në kohët moderne. Shinzo Abe është kryeministri që ka shërbyer më gjatë në këtë detyrë.

Ai e rimori qeverisjen në vitin 2012 dhe qëndroi deri në vitin 2020 kur dha dorëheqjen për shkak të problemeve shëndetësore.