Mbi 58 mijë drejtues mjetesh të qarkut Vlorë do kenë tashmë kushte optimale shërbimi dhe thjeshtësim procesesh me efekt uljen e kostove.

Transformimi në formë e përmbajtje i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Vlorë është tashmë një realitet i prekshëm i një përpjekjeje 2-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, i cili në një postim në rrjetet sociale ka publikuar dhe foto nga transformimi i kësaj Drejtorie.

“Transformim në formë e përmbajtje i shërbimeve të transportit rrugor për Qarkun e Vlorës (Bashkitë: Vlorë, Selenicë, Himarë) ku i shërbejmë 36,622 mjeteve rrugore aktive dhe 58,383 drejtuesve të mjeteve, në një rajonale që e mbylli vitin 2021 me 133,428 shërbime”, tha ai.

“Realitet i prekshëm i një përpjekjeje 2-vjeçare për kushte optimale pune për punonjësit dhe komoditet për qytetarët, për informatizim e siguri, për rikonceptim e lehtësim praktikash, për përmirësime e thjeshtësim procesesh me efekt uljen e kostove dhe kursimin e kohës për përfituesit e shërbimeve”, shprehet Gonxhja.