Në kabinetin e Presidentit të Maqedonisë së Veriut është mbajtur seanca e 16-të e Këshillit të Sigurimit, ku në rend dite ishte propozimi i modifikuar i presidencës franceze për fillimin e negociatave për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian (BE).

Në seancë, përveç anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, me ftesë të presidentit Stevo Pendarovski, mori pjesë edhe zv/kryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Presidenti Pendarovski tha në një deklaratë për mediet pas seancës se bëhet fjalë për një çështje të rëndësisë strategjike për vendin, duke shtuar se kjo ka shkaktuar polarizim politik në Maqedoninë e Veriut.

“Vendimi për të pranuar propozimin e modifikuar francez nuk do të jetë as një triumf historik, siç do të donin të thoshin njëra palë, ​​as një dështim apo debakël historik, siç thonë ata në palën tjetër. Për mendimin tim, është një kompromis kalimtar për një nga fazat e integrimit evropian, në të cilin tre elementë janë të rëndësishëm dhe për këtë, për mendimin tim, propozimi është i pranueshëm në këtë fazë dhe në këtë format”, tha Pendarovski.

Ai u shpreh se fillimisht, me propozimin francez hiqet bllokada bullgare për eurointegrimet, e cila zgjat më shumë se dy vjet, ndërsa propozimi lejon hapjen formale të negociatave pas 17 vitesh pritje.

“Së dyti, mundëson një proces skriningu, i cili është një fazë e detyrueshme para negociatave për grupet e kapitujve dhe, së treti, ajo që është më e rëndësishmja, me aspak nuk e cenon identitetin maqedonas sepse për përcaktuesin kryesor themelor, për gjuhën maqedonase, në propozim ka një formulim të qartë, pa fusnota”, tha Pendarovski.

Sipas presidentit Pendarovski, “kompromisi kalimtar e zgjidh bllokadën aktuale”, por ai u shpreh se në kuadër të propozimit është paraparë një bllokadë e re, e cila do të jetë bllokadë e brendshme.

“Në parim, askush këtu në vend nuk është kundër hyrjes së bullgarëve në Kushtetutë, por polarizimi i brendshëm e bën të pamundur konsensusin për këtë çështje. Ky kusht, për mendimin tim, është dobësia më e madhe e propozimit. Edhe pse ndryshimet kushtetuese do të jenë në rendin e ditës pas skriningut ose sipas disa vlerësimeve të ekspertëve, në fillim të vitit 2024. Nuk pretendoj se në negociatat gjatë dy viteve të fundit nuk ka mundur të arrihet diçka më cilësore në disa aspekte, por ato do të ishin detaje, jo çështje thelbësore”, tha Pendarovski.