Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi kanë marrë pjesë ne ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kongreseve të diplomimit të studentëve të Universitetit të Mjekësisë. Ministrja Manastirliu dhe Ministrja Kushi thanë se, duke filluar nga viti ardhshëm kuotat për mjekësinë dhe infermierinë do të rriten me 30%.

“Lajmi i mirë është që me nisjen dhe fillimin e vitit të ri akademik, 100 kuota të reja, pra 100 kuota plus për mjekësinë do t’i shtohen totalit të kuotave të hapura për mjekësinë. Por lajmi tjetër i mirë dhe kështu e bëmë fjalë me ministren për ta thënë është që 100 kuota të reja për Fakultetin e Shkencave Teknike Mjekësore për infermierinë do të hapen vitin e ri akademik. Duke filluar nga viti i ri akademik ne do të kemi për Universitetin Mjekësor të Tiranës 30% më shumë kuota të reja për mjekësinë dhe infermierinë. Dhe jam e bindur që ky është një lajm shumë i mirë edhe për maturantët që duan që të aplikojnë këtë vit në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës”, bëri me dije Manastirliu.

Në fjalën e saj Manastirliu foli për punësimin e profesionistëve të shëndetit në sistemin shëndetësor publik, ku tha se portali “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” kanë garantuar më shumë meritokraci dhe transparencë.

“Jeni dëshmitarë të një instrumenti që nuk është më në dorën e politikës. Por është një instrument ligjor, që është portal “Mjëke për Shqipërinë” dhe portali “Infermierë për Shqipërinë”. Më të vertetë jam dhe dhe ndihemi të gjithë krenarë që ky instrument ka bërë atë që për vite, e vite, e vite mungonte në këtë sistem; punësim mbi bazë merite, punësim mbi bazë transparence, dhe tashmë është një garanci për të gjithë ju për të gjetur punën që kërkoni sipas meritës dhe sipas të gjithë atyre elementëve që kanë të bëjnë me aftësitë tuaja profesionale. Por një gjë u garantojmë qytetarëve. Që kush është në shërbim, nëpërmjet sistemit transparienës dhe meritokracisë në rekrutim na siguron që qytetarëve t’u japim shërbimin më të mirë”, tha Manastirliu.