Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar sot besimtarët myslimanë për Festën e Kurban Bajramit. Nikolla tha se kjo festë është e tillë që i që i kapërcen kufijtë e besimit pasi gëzojnë të gjithë.

“Me rastin e festës së Kurban Bajramit, u uroj të gjithë besimtarëve myslimanë shëndet e bekime në familjet e tyre. Kurban Bajrami është tashmë një festë popullore, që i kapërcen kufijtë e besimit dhe të komunitetit mysliman, bashkë me të cilin gëzojnë të gjithë shqiptarët. Mozaiku, respekti dhe harmonia fetare e Shqipërisë dhe shqiptarëve është një mundësi për më shumë gëzime e mirënjohje.

Festa e Kurban Bajramit është një shenjë jo vetëm e përkushtimit fetar, por edhe e sakrifices, e mirësisë dhe e devotshmërisë njerëzore. Është një thirrje për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe lehtësimin e vuajtjeve të të varfërve, të dobtëve dhe atyre që kanë më shumë nevojë. Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë!”, shkruan në mesazhin e saj Nikolla.