Për të fituar “Topin e Artë” nuk mjaftojnë vetëm votat. Natyrisht që kërkohen dhe lobingje të forta. Një gjë të tillë ka tentuar ta bëjë dhe ish-kapiteni i Realit të Madridit, Serxho Ramos. Gazeta “El Confidencial” ka zbuluar se ish-mbrojtësi i Madridit, i ka kërkuar presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, të përdorte ndikimin e tij për të fituar “Topin e Artë” në vitin 2020.

Biseda e zbuluar është zhvilluar në muajt korrik dhe gusht të atij viti. “Rubi, mirëmbrëma (…) Ti e di që nuk të kam kërkuar asgjë, por nëse dua ta bëj sot është sepse mendoj se është një vit i veçantë për paraqitjen që kam bërë. Dua të më ndihmoni në çfarëdo mënyre që mundeni dhe të luani disa gurë andej nga UEFA për temën e ‘Topit të Artë’. Do t’ju falënderoja gjithë jetën. Të dërgoj një përqafim”, del t’i ketë thënë Ramos numrit të federatës spanjolle. Përgjigjja e Rubialesit ka qenë shumë diplomatike siç del nga përgjimet. “… për ‘Topin e Artë’ nuk varet nga unë, por për aq sa mund të të ndihmoj, unë jam gati. Një përqafim i madh”, i ka thënë ai Ramosit.

Edhe pas këtij shkëmbimi të parë Ramos ka këmbëngulur që Rubiales të përdorte ndikimin e tij. “E di që nuk varet nga ju, por marrëdhëniet janë gjithashtu kyçe. Shkurt, unë pres ndihmën tuaj”, i thotë ishkapiteni i kombëtares spanjolle presidentit të federatës. Por përgjimet e “El Confidencial” tregojnë dhe për përplasje të forta mes tyre, ku në qendër është Barcelona. Gjithçka i referohet takimit të janarit 2019 mes Barcelonës dhe Leganes, që sipas Ramosit, Barça është ndihmuar nga gjyqtarët. “Rubi, çfarë po ndodh me gjyqtarët me Barcelonën. E keni ndarë mendjen për t’ia dhënë titullin me patjetër. A e patë faullin e Luis Suarezit? Përqafime”, nënvizon Ramos. Edhe në këtë rast numri një i federatës e ka shmangur me stil ishkapitenin e Realit. “Ne punojmë çdo ditë për të përmirësuar arbitrimin…”, i ka thënë ai.