Albin Kurti iu është drejtuar në gjuhën e tyre serbëve në Kosovë rreth vendimit të qeverisë për lëshimin e dokumenteve në hyrje-dalje në të gjitha pikat kufitare, për qytetarët serbë që posedojnë dokumente identifikuese të lëshuara nga autoritetet serbe.

Kryeministri i Kosovës, bën të ditur se ky vendim nis zbatimin të hënën, më 1 gusht, dhe se po ashtu do të fillojë edhe procesi i regjistrimit të veturave që posedojnë targa ilegale të cilat do të konvertohen në RKS.

“Nuk duam që këtë veprim tonin ta kuptoni ndryshe, përveç si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaja, si nënshtetas të Republikës së Kosovës. Obligimi jonë është që të mbrojmë të drejtat tuaja nga veprimet diskriminuese të cilat siç janë kërcënim ndaj shtetit, janë kërcënime ndaj gjithë neve, si shtetas të tij. Institucionet bartëse të këtij procesi kanë bërë përgatitjet e nevojshme ligjore dhe logjistike. Zyrtarët shtetërorë janë të përkushtuar që bashkërisht me ju, ta fillojnë dhe zhvillojnë këtë proces me sukses”, vazhdoi më tej kryeministri.

Kreu i ekzekutivit deklaroi se me këto dy vendime synohet që të mbrohen të drejtat e qytetarëve nga veprimet diskriminuese të shtetit serb.

“Nuk duam që këtë veprim tonin ta kuptoni ndryshe, përveç si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaja, si nënshtetas të Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.

Mediat në Kosovë, theksojnë se ky video-mesazh i Kurtit besohet se nuk është xhiruar ditën e shtunë, për shkak se ai sot kthehet në vendin e tij pas, një vizite në SHBA.