Të gjithë fëmijët nën moshën 18 vjeçare nuk mund të kalojnë më kufirin Kosovë-Mal i Zi vetëm me certifikatë të lindjes. Ky vendim që tashmë ka hyrë në fuqi, është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, më 5 korrik.

“MPJD njofton të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, se për kalimin kufitar në Malin e Zi, edhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare duhet të jenë të pajisur me një dokument të vlefshëm udhëtimi”, thuhet në njoftim.

Mali i Zi ka pezulluar vendimin e mëparshëm në bazë të të cilit fëmijët nën moshën 18-vjeçare nga Republika e Kosovës, janë lejuar të kalojnë kufirin vetëm me certifikatë të lindjes.

“Vendimi për hyrjen në Malin e Zi të të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe të miturit, vetëm me dokumente të vlefshme udhëtimi, është tashmë në fuqi”, njofton MPDJ. /REL