Kryeministri Edi Rama ditën e sotme mori pjesë në takimin për nisjen e punimeve për parkun fotovoltaik të Karavastasë, ku të pranishëm ishin Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Ambasadorja e Francës në Shqipëri.

Në fjalën e tij Kryeministri e mbajtur në këtë takim shprehu: “Më vjen shumë mirë sot, që jemi këtu pas një pune të gjatë parapërgatitore, sepse i tillë është ky proces, për të hyrë në fazën përfundimtare që është faza e ndërtimit të parkut më të madh me energji diellore në rajonin e Ballkanit.”

Më tej Kryeministri Rama vijoi duke thënë se më vjen shumë mirë që për rastësi, dje kam qenë së bashku me Presidentin e Francës në Madrid dhe kemi folur edhe për angazhimin e Voltalias në Shqipëri edhe për ditën e sotme edhe për vijimi e investimeve të Voltalias me parkun tjetër fotovoltaik në zonën e Spitallës, i cili është në fazën përgatitore.

“Procesi ka qenë realisht sfidues, por edhe një histori e bukur suksesi duke nisur nga çmimi, një çmim i paimagjinueshëm në atë moment për leverdisshmërinë e shtetit shqiptar, më pak se 25 euro, ofruar nga Voltalia. Por, një çmim që bëhet përtej çdo force të imagjinatës sot, kur situata dhe koniunktura ka ndryshuar në mënyre rrënjësor dhe këtu me shumë respekt unë dua t’i them kompanisë dhe lidershipit që e çmojmë, jashtëzakonisht shumë korrektesën, seriozitetin dhe gatishmërinë e tyre për të vazhduar edhe pse në një situatë kaq sfiduese, kur realisht edhe vetë projekti u kërcënua nga ndryshimi marramendës i koniunkturës.” tha Kryeministri Rama.

Parku fotovoltaik i Karavastasë, do jetë parku më i madh diellor në Ballkanin Perëndimor, me kapacitet prej 140 megavat, duke e kthyer Shqipërinë në një vend kyç për rritjen e potencialit të energjisë së pastër.

Ky investim tejkalon vlerën e 100 milionë eurove e nis funksionimin në gjysmën e dytë të vitit 2023, duke mbuluar konsumin vjetor të energjisë për 220 mijë banorë, dyfishi i konsumit të qyteteve si Vlora apo Kamza.

Nga ky projekt madhor i energjisë së pastër do të shmangen emetimet e më shumë se 96 mijë tonë dioksid karboni në vit, i barazvlefshëm me 9.5% të emetimit të sektorit industrial shqiptar.