Kryeministri Rama u takua sot në Holandë, me bizneset dhe agjencitë shtetërore holandeze, për të zhvilluar një diskutim mbi mundësitë e bashkëpunimit me vendin tonë.

Në fjalën e tij Rama falenderoi pjesëmarrësit duke vlerësuar edhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

“Kam privilegjin të jem këtu me ju dhe ju falenderoj që gjetët kohën për të qenë këtu me ne. Mund të duket e largët në pamje të parë, por Holanda është mjaft e pranishme në Shqipëri. Këtu janë disa nga aktorët më kryesorë të kësaj pranie, në një marrëdhënie shumë të rëndësishme për ne, që duam ta thellojmë e ta zgjerojmë sa më shumë të jetë e mundur” deklaroi Rama.

Kryeministri foli për arkitektët holandezë që kanë qenë për një kohë të gjatë në Shqipëri, me studiot e tyre dhe duke dhënë një kontribut të çmuar për vendin tonë.

Po ashtu, Rama paralajmëroi se së shpejti publiku shqiptar do të informohet më tej për një zbulim të rëndësishëm që ka bërë kompania SHELL në Shqipëri.

“Kemi kënaqësinë e privilegjin që kemi në vendin tone SHELL-in, i cili po arrin të realizojë në vendin tone një zbulim shumë të rëndësishëm, të cilin shumë shpejt do të mund ta ndajmë me qytetarët” shtoi Kryeministri, duke theksuar se zbulimi i tyre do të ndikojë në të ardhmen e vendit tonë, por edhe në të ardhmen energjitike të Europës.