Në konferencën për shtyp, Kryeministri foli për rastin e akuzave mbi ministren Xhaçka dhe bashkëshortit të saj.

 

Ai u shpreh se: “Unë jam shumë i lumtur që sa më shumë investitor të huaj të vijnë në Shqipëri, po nuk hyj tek ata që të huajt i shohin si kategoria e parë dhe shqiptarët si e dyta. Unë mendoj se çdo shtet edhe në ekonomi ka nevojë për kampionët e vetë.

Unë do të doja të kishte sa më shumë investitorë strategjik shqiptar, por nuk ka. Investimet strategjike nuk janë bërë vetëm për të huajt por edhe për shqiptarët, dhe një pjesë e tyre nuk shkojnë deri në fund sepse janë rregullat shumë strikte.

Në gjithë vijën detare të Shqipërisë ka me mijëra subjekte të cilat kanë në shfrytëzim një pjesë plazhi, pasi disponojnë një pronë private dhe një nga mijëra këto subjekte private është edhe rasti në fjalë. Këtu ka ndodhur i njëjti proces si me shqiptarët e tjerë, sepse në të gjithë botën ku ekziston prona private, shteti ndjek këtë praktikë që plazhi të mirëmbahet të pastrohet.”

“Qeveria nuk ka dhënë asgjë, zero, ajo thjesht nuk ka shkelur një të drejtë që buron nga ligji, nga e drejta e pronës private. Ajo që unë kam kërkuar tani është ta heqim fare futjen e qeverisë në këtë mes, që të mos kemi më as këto llafe, që janë llafe të budallallëkut mendor që prodhojnë maskarallëk” shtoi kryeministri.