FIL EPHOTO: Pipes at the landfall facilities of the 'Nord Stream 1' gas pipeline are pictured in Lubmin, Germany, March 8, 2022. REUTERS/Hannibal Hanschke

Qeveria kanadeze do të vërë në dispozicion një turbinë kyçe që përdoret për transportin e gazit nga Rusia në Gjermani, e cila ka qenë në Kanada për riparime dhe që fillimisht u ndalua si pjesë e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Ministri i Burimeve Natyrore, Jonathan Wilkinson bëri njoftimin në lidhje me turbinën, e cila përdoret në gazsjellësin “Nord Stream 1” që lidh Rusinë me Gjermaninë.

Në vend që kompania “Siemens” ta dërgonte turbinën, e cila po riparohej në një fabrikë të Siemens në Montreal, direkt në Rusi siç ishte planifikuar fillimisht, ajo do ta dërgonte atë në Gjermani.

Pasi bisedoi me aleatët e saj evropianë, duke përfshirë Ukrainën dhe Gjermaninë, Kanadaja do të japë një leje me kohë të kufizuar dhe të revokueshme për “Siemens Canada”, për të lejuar kthimin e turbinave të riparuara të “Nord Stream 1” në Gjermani”, shkroi Wilkinson në Twitter.

“Kjo do të mbështesë aftësinë e Evropës për të siguruar energji të besueshme dhe të përballueshme ndërsa vendet heqin dorë nga nafta dhe gazi rus”, shtoi ai.

“Përndryshe ekonomia gjermane do të pësojë vështirësi shumë të mëdha dhe vetë gjermanët nuk do të ishin më në gjendje të ngrohnin shtëpitë e tyre me ardhjen e dimrit”, theksoi ai.

Kompania shtetërore ruse “Gazprom”, kohët e fundit ka reduktuar në mënyrë drastike dërgesat e gazit në Gjermani përmes “Nord Stream 1”.