ISHMT ka bllokuar 21 artikuj të ndryshëm, më konkretisht 2.000 lodra për fëmijë duke përfshirë komerdare, topa, pistoleta uji, makina plastike për fëmijë.

Nga inspektimi rezultoi se disa prej subjekteve tregtonin produkte që nuk plotësojnë standardet europiane, pra janë të pamarkuara CE, në shkelje të ligjit nr. 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkte joushqimore”, i ndryshuar dhe V.K.M nr.262/ 2013 “Për sigurinë e lodrave”.

Njëkohësisht artikujt e bllokuar janë të listuara në sistemet e shkëmbimit të shpejtë të informacionit të Komisionit Europian (Safety Gate Portal), si produkte të rrezikshme me ndikim në shëndetin e fëmijëve. Artikujt e ndaluar paraqesin risk potencial kimik për shkak të përmbajtjes së lartë të ftalateve, risk fizik duke shkaktuar mbytje, prerje apo dëmtime të tjera tek fëmijët.

ISHMT u bën thirrje konsumatorëve të kenë kujdes kur zgjedhin lodrat për fëmijë! Markimi CE duhet të jetë i vendosur në mënyrë të paheqshme dhe me përmasa jo më të vogla se 5 mm.

ISHMT ka në fokus të punës së saj ndërgjegjësimin e subjekteve dhe informimin e tyre për zbatimin me korrektësi të ligjit, ndërsa rikujton detyrimet që rrjedhin prej tij, në mbrojtje të konsumatorëve dhe të konkurrencës së ndershme.