Pas Onanës, Mkhitaryan, Asllanit dhe Lukakut, Interi do të prezantojë sot edhe futbollistin e pestë të afruar gjatë merkatos së kësaj vere.

Bëhet fjalë për 22-vjeçarin Raoul Bellanova, i cili do të paraqitet në mëngjes për vizitat mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratën në zyrat e zikaltërve.
Futbollisti që luan në të dy krahët e mbrojtjes dhe mesfushës, vjen pas një sezoni mjaft pozitiv te Cagliari, teksa Interi do të paguajë një total prej rreth 10 milionë eurosh për kartonin e tij.

Bellanova shihet si pasuesi i Perisiç, por edhe një alternativë konkrete për Dumfries në të djathtë, teksa te Inter besojnë se kanë gjetur një anësor për të tashmen, por edhe të ardhmen.

SuperSport shkruan se pas Bellanovës Marotta e Ausilio do të nxitojnë për të sjellë në Milano brazilianin Bremer, pasi largimi i Ranocchias dhe Kolarov ka lënë boshllëk në repartin e prapavijës.

Sa i përket Dybalës, te Interi janë të bindur që do të firmosin brenda mesit të korrikut. Megjithatë kjo javë është e rëndësishme, pasi synohet që të largohen emra si Vidal e Sanchez, që do të krijojnë hapësira për argjentinasin.