Gjermania në krizë: kostot e energjisë janë më të larta se kurrë, çmimet e karburanteve po shpërthejnë, produktet ushqimore po bëhen më të shtrenjta dhe inflacioni po rritet, shkruan kështu gazeta gjermane Bild.

Gazi jo vetëm që kërcënon të bëhet i pakët gjatë vitit, por është gjithashtu shumë i shtrenjtë. Shumë qiramarrës dhe pronarë vilash kishin shpresuar të mbroheshin nga rritjet masive të çmimeve në tregun e gazit, të paktën deri në skadimin e kontratave të tyre.

Sipas Institutit Ifo me seli në Mynih, inflacioni ka arritur kulmin për momentin. Përqindja e kompanive që planifikojnë të rrisin çmimet e tyre në tre muajt e ardhshëm ra në korrik për të tretën herë radhazi, tha instituti të enjten, duke cituar një sondazh.