Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut çelin sot zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Nga Brukseli, në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama dhe Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar ditën e sotme një moment historik për Bashkimin Europian.

Presidentja theksoi se të dyja vendet kanë treguar përkushtim për vlerat e Unionit, ndërsa përgëzoi të dy liderët për lidershipin dhe vizionin e tyre.

“Ky është një moment historik. Keni treguar shumë përkushtim për vlerat tona, keni patur besim te procesi, keni zbatuar shtetin ligjor, keni median e lirë, keni një shoqëri civile të gjallë dhe keni bërë shumë reforma, e keni modernizuar ekonominë tuaj, ju i keni bërë të gjitha këto ndryshime jo vetëm aty ku janë të detyrueshme, por sepse janë të mira për vendin tuaj dhe po japin një cilësi më të mirë jetese. Ju keni treguar kaq shumë lidership dhe vizion, durim strategjik me sasi të mëdha dhe në këto kohë me sfida të mëdha të sulmit brutal rus, ju keni treguar bashkimin tuaj me vlerat europiane si përtnerë të vërtetë”, tha Presidentja e KE.