Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik tërheqës për t’u vizituar dhe nga blogerët e huaj, të cilët e kanë listuar si një nga vendet që duhet vizituar në këtë sezon veror.

Falë investimeve të kryera, jo vetëm përgjatë bregdetit, por edhe në infrastrukturën rrugore ndërlidhëse, tashmë turistët e huaj pas aventurave të tyre, po e sugjerojnë Shqipërinë edhe te miqtë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi sot ftesën e bërë për miqtë e tyre nga dy blogerë holandezë, për të vizituar Shqipërinë turistike.

“Me 10 ditët e pushimeve në Shqipëri që nga turizmi malor në Theth deri në plazhet e Ksamilit , dy nga blogerët më të njohur në Holandë Hannah dhe Nick i ftuan ndjekësit e tyre për t’i vizituar këto bukuri. Destinacioneve që ata sugjerojnë tashmë iu shtua edhe Shqipëria”, u shpreh Kumbaro në rrjetet sociale.

Sipas të dhënave të INSTAT, mbi 1.6 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në territorin shqiptar në periudhën janar-maj.