Policia e Shtetit gjatë kësaj jave ka arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 411 shtetas, nga këta: 138 janë arrestuar, 238 janë proceduar penalisht dhe 35 janë shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit për shtyp të policisë, janë kapur në total 23 persona në kërkim, nga të cilët: 17 në kërkim kombëtar dhe 6 në kërkim ndërkombëtar.

“Janë zhvilluar 22 operacione policore të koduara: “Cooper”, “The departed”, “Seller”, “Kodër Lucë”, “Break”, “Smuggling 3”, “Delivery”, “Interrupt”, “Cooperation”, “Perimetri 183”, “Perimetri 184”, “Limit”, “Brataj”, “Pass”, “Zhavar” (3 faza), “Premtimi”, “Start”, “Last move”, “Diesel” dhe “Manhunt”. Vijojnë operacionet nga FAST Albania, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Falë bashkëpunimit mes FAST Albania dhe homologëve, është finalizuar një tjetër operacion ndërkombëtar, i koduar “Manhunt”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga 2 shtetas nga Finlanda”, nënvizon policia.

Shërbimet e Policisë kanë vijuar edhe gjatë kësaj jave, kontrollet në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë kësaj jave janë finalizuar disa operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale në këtë fushë dhe janë sekuestruar pajisje të ndryshme që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, në ambiente të hapura.

“Operacioni “Zhavar”, i zhvilluar në 3 faza, nga Policia e Fierit, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 6 shtetas dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë, të cilët ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe u sekuestruan 83 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa”, thekson policia.

Sipas policisë, si rezultat i kontrolleve masive, operacioneve dhe goditjeve nga DVP-të në qarqe, janë sekuestruar rreth 90 kg lëndë narkotike kanabis, doza me kokainë, fidanë dhe bimë kanabis, shuma parash të përfituara nga veprimtaria kriminale, mallra të dyshuar të kontrabanduar, 6 automjete, 5 aparate celulare dhe 2 mjete lundruese.

“Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 11 raste dhe janë sekuestruar 5 armë zjarri, 1 armë sportive, 4 thika, municion luftarak dhe 1 kg lëndë eksplozive”, bën të ditur policia.

Policia e Shtetit thekson se “janë goditur 2 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 41 raste të dhunës në familje. Janë evidentuar dhe goditur 22 raste të krimeve mjedisore, 2 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 7 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 25 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 10 raste. Janë evidentuar dhe goditur 12 raste të veprimtarisë kriminale me objekt zjarrvënien e qëllimshme dhe janë proceduar autorët e dyshuar”.

Gjatë kësaj jave janë pezulluar 381 leje drejtimi, nga të cilat: 284 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 60 për drejtim mjeti, nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 37 për qarkullim në sens të kundërt.

Po ashtu janë arrestuar 44 drejtues mjetesh, nga këta: 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 18 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Ndërkohë janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 7 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, janë vendosur 15.512 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia kufitare gjatë kësaj jave ka kapur 9 shtetas në kërkim, nga të cilët 5 në kërkim kombëtar dhe 4 në kërkim ndërkombëtar. Janë goditur 9 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit si dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe 2 të tjerë, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”.

Policia e Shtetit do intensifikojnë kontrollet e befasishme në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike. Kontrollet do të intensifikohen edhe gjatë vijës bregdetare dhe në zonat e tjera turistike, me qëllim garantimin e rendit e sigurisë për pushuesit dhe turistët.

Gjithashtu do të vijojnë operacionet policore dhe bashkëpunimi me qytetarët, partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për jetën dhe pronën e qytetarëve.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.