Nga Jakin Marena

Kur një njeri ndjehet i vetmuar dhe i izoluar nga të katër anët ka dhe paranojat e veta. Aq më tepër kur ky është politikan që ka pas vetes njerëz që e ndjekin dhe kërkojnë shumë prej tij, paranoja bëhet akoma më e madhe, duke bërë që të ndjehet i kërcënuar nga të gjithë.

Dhe kur një njeri i tillë është Sali Berisha, i cili ka qënë për 31 vite në majën e pushtetit të PD, të shtetit shqiptar si President i Republikës dhe ekzekutivit si kryeministër, me një barrë zullumesh e mëkatësh në kurriz, paranoja është kthyer në bashkëudhëtare e përhershme në çdo hap që hedh.

Berishës tashmë i duket sikur është i rrethuar nga të gjitha anët me armiq, të cilët duan t’i bëjnë “gropën” atij dhe familjes biologjike në çdo moment. Ndaj dhe “sensorët” paralajmërues për të punojnë 24 në 24 orë, duke “skanuar” këdo që ka afër, përballë apo në krah.

Me këtë fakt mund të shpjegohet dhe qëndrimi i tij dyshues ndaj gjithkujt që merr “guximin” t’i afrohet qoftë dhe për ta mbështetur apo krijuar aleancë me të, në këto momente të “vetmisë së madhe”, i shpallur “non grata” familjarisht nga SHBA dhe i izoluar nga BE e të djathtët e PPE. Por është dhe një “sindrom” i krijuar gjatë 25 viteve kur Berisha ishte anëtar dhe sekretar i PPSH në kohën e diktaturës, kur për të mbijetuar apo depërtuar në “Bllok”, duhej të bëje sytë katër, por dhe të “sakatoje” ndonjë duke e internuar apo dëbuar jashtë Tirane.

Berisha ndjehet gjithnjë i tradhëtuar ndonëse i ka tradhëtuar të gjithë në PD që në krye të herës për interesin e tij politik dhe personal. Dhe një pjesë e të tradhëtuarve prej tij ose nuk jetojnë më, ose janë zhdukur nga qarkullimi politik, ose janë tërësisht të “tredhur” dhe sillen rrotull rrotull tij me përuljen e “eunukëve” që për shërbimet e kryera, janë në pritje të përfitojnë ndonjë gjë. Qoftë dhe një mandat deputeti, por që ka vlerë në këtë periudhë opozite që s’dihet kur e ka fundin.