Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla së bashku me kryetaren e Bashkisë Lushnje Eriselda Sefa dhe deputetin Bujar Çela janë ndalur sot në Barbullinjë të Lushnjës ku kanë parë nga afër fermën me pjeshkë “Flori Fruit”.

Balla u shpreh se kjo është një fermë model e cila ka mbjellë 8 hektarë me pjeshkë si dhe gjithashtu nuk la pa theksuar se bujqësia ka arritur standarde të tjera tashmë krahasuar me disa vite më parë.

“Sot shohim investime model në ferma si dhe lehtësira për fermerin. Krijimi i pikave të grumbullimit është një nga lehtësirat më të mëdha për fermerët, pasi prodhimi jo vetëm nuk shkon dëm por aty edhe ruhet e më pas shkon për eksport, ku duhet theksuar se vitet e fundit eksportet kanë tejkaluar edhe pritshmëritë”, tha Balla.

Gjithashtu, Balla shtoi se “ne e provuam bujqësinë pa grumbulluesit dhe e pamë që humbjet ishin të mëdha, prodhimi mbetej pa shitur, ndaj jemi shumë të lumtur që fermerët tashmë kanë ku të shesin prodhimet e tyre”.