Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schib, nuk sheh asnjë pengesë në rrugën e Beogradit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në rast se ajo përmbush të gjitha kushtet e vendosura nga Unioni.

Schib, në një intervistë për mediumin serb, FoNet, ka thënë se qëndrimi zyrtar i Berlinit në raport me dialogun Kosovë-Serbi, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke nuk ka ndryshuar.

Schib, i cili është në fund të mandatit të tij katërvjeçar në Serbi, ka ripërsëritur mbështetjen e pakushtëzuar të Gjermanisë për procesin e dialogut.

“Për momentin, dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është i ngadalshëm, por është e rëndësishme për ne që në një të ardhme të parashikueshme të arrijmë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, pasi kjo do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin e të dyja vendeve”, ka thënë Schib.

Sipas, top-diplomatit gjerman, te të dy palët vërehet një mungesë të vullnetit politik për të bërë progres më të shpejtë dhe rrjedhimisht për të arritur disa rezultate konkrete në procesin e dialogut.

“Është e nevojshme të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në fund të ketë njohje reciproke, të cilën kancelari Scholz deklaroi qartë, deri atëherë, do të ketë ende shumë punë për të bërë”, ka shtuar ai.

Diplomati gjerman më tej ka kritikuar narrativen e krijuar në Serbi kundrejt BE-së, që është shumë kritike dhe aspak pozitive.

“Disa media shkruajnë në mënyrë shumë kritike për BE-në dhe është e rëndësishme që ne të ndryshojmë atë mënyrë të raportimit. Imazhi i BE-së në media është i lidhur ngushtë me disponimin e qytetarëve për të mbështetur reformat e nevojshme për anëtarësim”, ka shpjeguar ai.