Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, i është përgjigjur akuzave të deputetit demokrat, Dashnor Sula, i cili përmes një investigimi të tij ngriti pikëpyetje në lidhje me futjen e naftës kontrabandë në vend.

Sipas të dhënave të publikuara nga deputeti demokrat rezulton se megjithëse numri i makinave është dyfishuar në dhjetëvjeçarin e fundit, sasia e importit të naftës është ulur.

Gjatë fjalës së mbajtur në parlament ministrja Ibrahimi, deklaroi se këto të dhëna janë të pavërteta dhe ftoi deputetin demokrat që t’i interpretojë të dhënat siç duhet.

Sipas Ibrahimajt sasia e naftës ka ardhur duke u rritur ndër vite në Shqipëri dhe nuk ka pasur asnjëherë ulje.

“Unë iu kam thënë dhe herë tjetër që është mirë që ekonomistët të merren me ekonominë zoti Sula, pasi ajo që ju raportoni nuk janë shifrat reale. Ju kërkoj që t’i referoheni Drejtorisë së përgjithshme të Doganave.

Janë dy komponentë karburantesh që hyjnë në Shqipëri, janë karburantet që hidhen direkt për qarkullim dhe janë dhe karburantet që hyjnë në zona të lira doganore dhe zhdoganohen më vonë. Për dijeninë tuaj dhe informimin e publikut jam e detyruar t’iu them se ndër vite sasia totale karburanteve të hyrë në Shqipëri ka ardhur vetëm në rritje.

Në vitin 2021 ka qenë 757 mijë tonë ndërkohë që për vitin 2013 ka qenë 573 mijë tonë. Nga kjo sasi totale importeve për konsum në total kanë hyrë nga dogana në republikën e Shqipërisë, në vitin 2021 638 mijë tonë, ndërkohë që në vitin 2013 janë vetëm 520 mijë tonë, të gjitha këto të dhëna janë transparente në faqen e doganave dhe ju ftoj që shifrat t’i interpretoni siç duhet”, deklaroi ministrja.