Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot edhe propozimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për të shpërblyer me 150 milion lekë lojtarët e ekipit të fubollit të Tiranës, të cilët u shpallën kampion të Shqipërisë këtë vit. Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do t’i shpërblejë gjithmonë sportistët më të mirë, njësoj siç po bën me Luiza Gegën në atletikë apo Erkand Qerimajn dhe Briken Çaljan në peshëngritje.

“Ka shumë tifozë të Partizanit apo Dinamos që thonë: “Edhe ne paguajmë taksa, pse shpërblehet vetëm Tirana?”. Bashkia nuk shpërblen vetëm ekipin e Tiranës, por skuadrën që sjell Kampionatin, që fiton dhe ka rezultat. Shpërblejmë arritjen, jo përpjekjen. Kjo politikë është vendosur në dy vitet e fundit dhe fituese e kampionatit ka qenë KF Tirana. Kur shkojmë në stadium, shkojmë për të parë lojtarët dhe jo për të takuar presidentët, pronarët dhe aksionerët e klubit sepse lojtarët janë ata që na emocionojnë. Kështu që, këtë herë shpërblimi shkon vetëm për lojtarët”, nënvizoi Veliaj.

Ai shtoi se beteja për futbollin në Tiranë u bë për të shpëtonin çunat dhe gocat nga bandat që kanë uzurpuar futbollin. “A kam unë vërejtje për KF Tiranën kur shoh që, sa luan jashtë Shqipërisë, nuk na nderon? Që edhe zjarrfikësi i Luksemburgut, i cili luan edhe mbrojtës, na vuri përpara? Patjetër! Ndihesh keq. Por, nuk është problem i Tiranës. Futbolli në përgjithësi është në një situatë dramatike dhe ju e patë betejën që bëra, të paktën për të çliruar shoqatën e Tiranës, duke menduar se do vijë koha, do piqen edhe bashkitë e tjera dhe do thonë: Ne s’mund ta lëmë futbollin!”, u shpreh Veliaj.