Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit mirëpret tashmë pasagjerë jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe turistë nga Gjermania, Zvicra dhe Austria.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed – Flatrat e Veriut” i cili operon me 12 fluturime në javë për destinacione si Viena, Basel, Karlsruhe, Memmingen dhe Zyrih.

“Mirëmëngjes dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit me pasagjerët jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe turistë nga Gjermania, Zvicra dhe Austria, që shfrytëzojnë këtë portë të re të qiellit tonë për të kaluar pushimet në Shqipëri, ju uroj një fundjavë të mbarë”, tha Rama.

Fluturimet e para në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit “Zayed – Flatrat e Veriut” nisën zyrtarisht në 18 prill 2021.

Aeroporti i Kukësit është ndërtuar dhe studiuar mbi bazën e konceptit për t’i shërbyer trevave shqiptare, si të Shqipërisë, Kosovës, por edhe Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Ai i dedikohet kompanive low cost, që ofrojnë shërbime cilësore me çmime të ulëta.

Aeroporti i Kukësit ka një territor prej 512 mijë metra katrorë, me një gjatësi piste prej 1900 metrash dhe gjerësi 45 metra. Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë. Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit.