Së pari, duhet shprehur mirënjohje dhe falenderim për ata burra e djem të Forcave të Armatosura, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe zjarrfikësit e Vlorës, të cilët prej 3 ditësh po “luftojnë” me flakët në terrenin e vështirë, bimësinë e dendur dhe temperaturat e larta në ishullin e Sazanit.

Së dyti, edhe nga ajo që shikohet me sy të lirë nga qyteti i Vlorës, por edhe nga pamjet e xhiruara me helikopter nga Ministria e Mbrojtjes, duket që vatra e zjarrit është shumë e vogël për të zënë këtë hapësirë mediatike.
Fatkeqësisht edhe kjo fatkeqësi natyrore po përdoret politikisht për të sulmuar qeverinë.
Helikopterët për të cilët po sulmohet sot qeveria janë blerë në kohën e qeverisë së kaluar nëpërmjet një kontrate sa të diskutueshme, aq edhe të shtrenjtë, pasojat e së cilës po vuajmë sot. Kur këta helikopterë u blenë në vitin 2010, përveçse u pranuan me mangësi në pajisje, nuk u mendua as për mirëmbajtjen e tyre aq shumë të kushtueshme. Kjo është arsyeja e vërtetë pse ka vështirësi në mirëmbajtjen e tyre.
Por ka edhe diçka tjetër që ia vlen të përmendet. Kur helikopterët u blenë në vitin 2010, nuk u mendua të trajnohej ekuipazhi për operacionet e kërkim – shpëtimit dhe tërheqjen e të plagosurve me vinç nga toka apo deti. Por mbi të gjitha, as nuk u mendua fare që këta helikopterë të përdoreshin edhe për shuarjen e zjarreve.
Kjo u bë vetëm në vitin 2018 kur Ministria e Mbrojtjes pajisi helikopterët me kova të posaçme dhe trajnoi jashtë vendit ekuipazhet për këtë qëllim.
Kështu që flaka e vogël e Sazanit në vend që të digjte opinionin publik do ishte mirë të shërbente për të hetuar zanafillën e problemit të gatishmërisë së helikopterëve Cougar.