Partia Socialiste vijon takimet për procesin e ri zgjedhor të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj vendor në të 61 bashkitë e vendit. Mbledhja e tretë u zhvillua me Asamblenë e Zgjeruar të Bashkisë Pogradec, ku 5 kandidatët e përzgjedhur për fazën finale: Elona Katiraj, Erion Thëngjilli, Anxhela Andoni, Mimoza Shuli dhe Alfons Olldashi prezantuan dhe ballafaquan platformat e tyre të kandidimit për kryetar të PS Pogradec.
Komisioni i Posaçëm i mandatuar nga Kryesia Socialiste i përbërë nga Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, Sekretarja për Gruan, Etilda Gjonaj, Sekretari për Digjitalizimin, Etjen Xhafaj, drejtuesi politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi, deputetë të Qarkut Korçë, por dhe anëtarësia e partisë patën mundësi të njihen me vizionin e secilit prej kandidatëve dhe qasjen e tyre për të kontribuuar në drejtimin sa më të mirë të degëve lokale dhe arritjen e sukseseve elektorale të radhës për PS.
Kandidatja e parë, Elona Katiraj, me profesion ekonomiste, që prej prillit 2021 ka qenë Kryetare e PS Pogradec, është delegate Kongresi dhe prej dy vitesh anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS. Duke konsideruar si pikë të fortë të saj eksperiencën e deritanishme, njohjen e mirë të strukturave dhe problematikave të organizimit, gjatë prezantimit të platformës së saj u ndal në disa pika kryesore: nxitjen e strukturave për të qenë sa më aktivë dhe sa më pranë qytetarëve; afrimi i të rinjve duke mbajtur lidhje të forta me të zgjedhurit dhe të emëruarit në nivel bashkie; afrimin e kontributorëve ndër vite të PS duke vlerësuar dhe marrë si model punën e gjithësecilit prej tyre jo vetëm si shenjë mirënjohjeje, por dhe si udhërrëfyes dhe mbështetje për brezat në vazhdim; krijimi i një rrjeti të mirë komunikimi dhe informimi të shtrirë në çdo strukturë për shkëmbimin e eksperiencave dhe forcimin e rolit të koordinatorit dixhital.

Kandidati i dytë, Erion Thëngjilli me profesion mjek, ka drejtuar për disa vite PS Pogradec, gjatë prezantimit të platformës së tij theksoi nevojën që strukturat të janë sa më të hapura dhe solidare; të vendoset një sistem vlerësimi kontributorësh ndër vite për të marrë eksperiencat më të mira; krijimi i një database dixhitale për evidentimin e saktë të strukturave të partisë në emigracion, sidomos në Selanik dhe Athinë, por dhe të simpatizantëve të PS; takime periodike me anëtarësinë dhe jo vetëm për të vlerësuar çfarë janë pozitive dhe çfarë pretendohet nga pushteti lokal.
Kandidatja e tretë, Anxhela Andoni, me profesion arsimtare, drejton Forumin e gruas socialiste në Pogradec. Në paraqitjen e platformës së saj ajo u fokusua në vijimin e praktikave të mira për përfshirjen e vajzave dhe grave në struktura, thellimin e punës me të rinjtë dhe aktivizimi i tyre në aktivitete konkrete; ngritja e një grupi këshillues pranë Asamblesë Socialiste për të shkëmbyer mendime dhe përfituar sa më shumë nga përvoja e ish- kryetarëve të partisë, ish-kryetarëve të bashkisë; ish- sekretarëve të partisë, ish- drejtuesve të komunave, etj.
Kandidatja e katërt, Mimoza Shuli, me profesion ekonomiste është aktiviste prej disa vitesh e PS, anëtare e Këshillit të Qarkut. Gjatë prezantimit të platformës së saj, ajo theksoi se është e rëndësishme krijimi i një platforme dialogu, për ndarjen e vlerave të përbashkëta, kordinimin më të mirë dhe mbështetjen e të gjitha forumeve, për të pasur një parti sa më të fortë. Si objektiva të punës së saj ajo parashtroi rijetësimin e organizatave të gruas, shkëmbimin e eksperiencave me rrjetet rajonale të grave, në mënyrë që të arrihet përshirje e tyre konkrete në projekte sociale, në mënyrë që jo vetëm të dëgjohet zëri i tyre, por dhe duke u dhënë zgjidhje konkrete shqetësimeve të tyre të ndihen më të përfshira gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë periudhave zgjedhore. Një pikë tjetër ku ajo u ndal ishte rritja e angazhimit të FRESSH me nisma dhe fushata të reja, për të dëgjuar dhe adresuar problemet e brezit të ri, sepse kanë nevojë për besim, mbështetje dhe inkurajim.
Kandidati i pestë, Alfons Olldashi, me profesion jurist, aktualisht është Administrator i Njësisë Administrative Buçimas dhe prej 2 vitesh është anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS. Në thelb të platformës së kandidimit të tij vendosi: takimet periodike 2-mujore të OS për të dëgjuar dhe ndarë shqetësimet e çdo anëtari partie, për të parë nga afër punën e OS, por dhe për të mësuar se si mund të arrihet një organizim sa më i mirë të PS; vendosja e një sistemi meritokracie dhe vlerësimi të gjithësecili mbi bazën e kontributeve reale; forcimi i rolit të koordinatorit dixhitalë dhe qasja sa më proaktive e anëtarësisë ndaj platformave, por dhe rrjeteve sociale të partisë.
Kandidatët iu përgjigjën pyetjeve të bëra nga të mandatuarit e Kryesisë së PS dhe deputetët lidhur me vizionin e tyre për zhvillimin e platformave dixhitale të partisë, riaktivizimin e strukturave në emigracion duke qenë se Qarku i Korçës është një nga qarqet me numrin më të lartë të emigrantëve, se si mund të forcohet komunikimi mes komunitetit dhe administratës vendore për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, por dhe arritjen e rezultateve më të mira elektorale.

Në përfundim të takimit, Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi, vlerësoi se sistemi i ri zgjedhor që po aplikohet nga Partia Socialiste, jo vetëm ka ndryshuar qasjen dhe ka rritur mbështetjen që u jepet kandidatëve, por promovon edhe aftësitë e tyre për të qenë përballë elektoratit dhe nxjerr në pah aftësitë e tyre të komunikimit dhe lidershipit. Duke vlerësuar prezantimet serioze të 5 kandidatëve, Klosi u shpreh se ata padyshim do jenë pjesë e lidershipit të PS Pogradec për vlerat e qytetarisë dhe vizionin që përcollën nëpërmjet platformave të tyre.