Nga Era Makoci

E ashtuquajtura “Ëndrra Europiane” dikur ishte frymëzuese, e bukur, dhe aq ndryshe nga Ëndrra Amerikane. Kjo e fundit e vë theksin tek fuqia ekonomike e individit (para, para, e më shumë para. Oh, dhe armë, pa dyshim!) Ëndrra Europiane fokusohej më shumë në zhvillimin e qëndrueshëm, cilësinë e jetës dhe ndërvarësinë. Ajo supozohej të ishte më kozmopolite dhe më pak territoriale. Logjika bazë ishte që, sa më shumë akses ne komunitete të ndryshme të ketë dikush, aq më shumë mundësi dhe zgjedhje ka për të jetuar një jetë të plotësuar dhe të kuptimtë. Me marrëdhëniet vjen gjithëpërfshirja dhe me gjithëpërfshirjen vjen siguria. Të paktën kjo ishte aspirata.

Megjithatë, makineria qeverisëse e Brukselit është një përbindësh burokratik që frustron edhe eurofilët më optimistë. Retorika gjithë varak maskon joefikasitetin dhe pafuqinë ushtarake: në çështjet globale, BE-ja është si një Reddit chatroom. BE-ja nuk është në gjendje, pa NATO-n, të mbrojë kufijtë e vet dhe zgjidhjet ndaj emigracionit masiv ishin frikacake, e shpesh imorale. Amerikanët (sidomos ata konservatorë) e kanë traditë ta shohin BE-në si “socialiste”, si një shtet i “welfare”-t (lemoshës sociale), packa se kjo pikëpamje është miopi historike.

Megjithatë, megjithatë, megjithatë…. pavarësisht gjithë të metave, BE-ja mbetet një mrekulli për t’u çmuar, një eksperiment që ka ndryshuar historinë botërore për mirë. Është garantuesi i paqes midis atyre vendeve që historikisht ishin armiq për kokë e përgjegjës të shkatërrimit e dikurshëm.

Dështimet e BE-së mbase bëhen kryetituj gazetash, por triumfi afatgjatë e marramendës i pavlerësuar sa duhet. Merr për shembull reformat (si reforma në drejtësi) që shtetet si Shqipëria, të cilat mëtojnë të bëhen pjesë, duhet të ndërmarrin vetëm e vetëm që t’i aviten kandidaturës e anëtarësisë. Pavarësisht nga kapsllëqet e që e zë një të sëmurë kur fillon merr një ilac të ri jetë-shpëtues, ato janë aq të mirëpritura, e aq të nevojshme, edhe sikur anëtarësia formale në BE kurrë të mos ndodhë.