Nga Jakin Marena/

Kronikat e emetuara në ekranet televizive, në mediat e shkruara e sociale, janë të mbushura me lajme që bëjnë fjalë për arrestime e deri vrasje të të rinjve të cilët kanë gjetur rrugën më të lehtë dhe të shpejtë për t’u pasuruar: trafikun e drogës, nga hashashi tek kokaina, brenda dhe jashtë vendit. Duke përshpejtuar kështu dhe arritjen e shpejtë të “finishit” të jetës në disa raste, por dhe mbylljen në qeli apo dëbimin në rastin më fatlum.

Kronikat e lajmeve pastaj bëhen emisione televizive që mbajnë të zënë çdo mbrëmje qytetarët shqiptarë dhe mes tyre dhe të rinjtë, të cilët më shumë se sa një rrezik dhe një shembull për të mos u marrë e shohin si një rrugë për të ardhmen e tyre për pasurim më të shpejtë, për një jetë me makina të shtrenjta e shpenzime marramendëse, pa përjashtuar as femrat e bukura dhe të shoëbizit brenda kësaj jete.

Dhe teksa dëgjojnë tjerrjen e lajmit në formë telenovele nga panelet televizive, të shtuara shumë kohët e fundit, duke u dhënë njerëzve të krimit statusin e një VIP-i, përmes jetëshkrimeve që nga lindja e deri në vrasjen e parë apo rrugën e parë të drogës e deri në vdekjen e tij të jetuar si ‘mbret’, nga ndonjë pusi, goditje nga makina apo në rastin më të keq nga ndonjë eksploziv i komanduar pasi kanë shkelur mbi dhjetra viktima më parë, në mendje këtyre të rinjve që janë në “metrat” e parë të jetës u mbeten vetëm të mirat e kësaj pune: Jeta e luksit. E shkurtër mund të thotë dikush, por në mendjen e gjithkujt s’ka asnjëherë vdekje për të. Ajo i ndodh tjetrit, jo atij.

Eshtë trishtuese kur nëpër “shtëpitë e barit” në Britani, Spanjë, madje dhe në Itali, nuk shkojnë vetëm ata që kanë hall bukën e gojës, as ata që janë të pashkollë. Përkundrazi, të paktën deri më tani që kemi lexuar dhe dëgjuar nëpër media apo rrjete sociale, kemi parë përfshirje në masë të të rinjve që kanë pasur një nivel të mesëm e deri të lartë jetese, apo pjesa më e madhe e tyre janë të shkolluar me mastër, madje dhe në sistemin e drejtësisë dhe ku në një vend normal duhej të ishin gjyqtarë e prokurorë. Aq më tepër që në Shqipëri, me një mungesë të theksuar prokurorësh dhe gjyqtarësh, ku puna është e garantuar për ata që kanë rezultate të larta.

Por jo. Pjesa më e madhe e këtyre të rinjve kanë marrë vendimin për të lëvizur drejt vendeve të BE dhe bërë punën e “çirakut” në“shtëpitë e barit”, të transportuesit të kokainës apo heroinës e deri tek elementët e tjerë kriminalë. Kjo është një situatë e tmerrshme. Akoma më tragjik është argumentimi i të rinjve që kanë zgjedhur këtë rrugë.