Shqipëria fitoi dje, në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, dy medaljet e para në sportin e mundjes, nga dy sportistë me origjinë nga Çeçenia dhe Dagistani, Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev, të cilët vetëm pak javë më parë u betuan për ngjyrat kuqezi para kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe morën nënshtetësinë shqiptare.

Kryebashkiaku Veliaj i uroi sportistët për rezultatin e lartë dhe u shprehu mirënjohjen për medaljet e arta dhe të bronzta që i dhuruan vendit tonë. Ai shtoi se ashtu si në futboll, ku kemi edhe futbollistë me kombësi të huaj, edhe në sporte të tjera ka ardhur koha të përfaqësohemi në mënyrë të tillë.

“Dua t’i sqaroj të gjithë, sidomos këta që rrinë në internet dhe nuk janë marrë kurrë me sport, se jetojmë në një botë ndërkombëtare. Ashtu si ekipi ynë i Tiranës apo ekipi ynë kombëtar është ekip ndërkombëtar, për një qytet si Tirana që ka 144 kombësi, do të duhet të përfaqësojë të gjithë ata që i bashkohen shtetësisë shqiptare. Kjo do të thotë se nuk ka rëndësi se ku kanë lindur, për sa kohë që janë shtetas shqiptarë dhe që mund të kenë marrë nënshtetësinë prej partneres apo të familjarëve të tjerë nga Shqipëria. Është e drejta e tyre të garojnë me aftësinë, me talentin dhe meritën e tyre, me uniformën kuqezi, për të ecur përpara. Një duartrokitje dhe një falënderim për dy mundësit tanë me origjinë nga Çeçenia dhe Dagistani, por që kanë zgjedhur të jenë shqiptarë dhe të garojnë për ngjyrat e flamurit tonë, duke e lidhur jetën me këtë vend, të krijojnë familje dhe të hedhin rrënjë këtu”, u shpreh Veliaj, gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit prej 150 milionë lekësh për ekipin fitues të kampionatit shqiptar të futbollit, Tiranës.