Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur të martën pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë.

Takimet janë zhvilluar Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, i cili ka nisur më 2011.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për këtë dialog, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar fillimisht takime bilaterale me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shef i delegacionit të Kosovës për dialog, e më pas takim të njëjtë edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç.

Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Çfarë parasheh kjo marrëveshje?

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013.

Nënshkruesit e marrëveshjes kanë qenë ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.

Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por nuk është zbatuar asnjëherë.

Ky dokument parasheh që përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e energjisë elektrike që mban emrin “Drustvo Elektrosever D.O.O.”.

Pronare e kësaj të fundit është Serbia, apo kompania publike serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike – Elektroprivreda Srbije.

Përfaqësuesit e saj e kanë regjistruar atë si biznes në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) në nëntor të vitit 2018. Aktivitet primar i saj është tregtia e energjisë.

Në bazë të marrëveshjeve të arritura, “Drustvo Elektrosever D.O.O.”, për të filluar operimin në Kosovë, do të duhej që të licencohej nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE).

“Drustvo Elektrosever D.O.O.” ka aplikuar për licencim, por nuk ka konfirmim se ZRRE-ja e ka licencuar.

Në muajin shkurt të këtij viti, ZRRE-ja ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se licenca është kërkuar në fund të dhjetorit, 2020, por ende nuk është miratuar, sepse “duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen [e Brukselit] dhe konkluzionet”, gjë që, sipas ZRRE-së, nuk është arritur.

ZRRE-ja nuk ka specifikuar konkretisht se çfarë është e kontestueshme në këtë proces.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se nuk do të ketë licencim të asnjë kompanie tjetër përveç të “Drustvo Elektrosever D.O.O.” – ashtu siç e parashohin edhe marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë më 10 qershor se marrëveshja për energjinë me Kosovën është drejt përfundimit dhe se për këtë çështje pala serbe ka zhvilluar negociata me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar mbajtjen e një takimi të tillë.

Në një deklarim për media më 18 qershor, ai ka thënë se marrëveshja e re do të mundësonte faturimin dhe inkasimin në katër komunat në veri të Lumit Ibër.

“Bëhet fjalë për katër shërbime të dakorduara më herët: vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matësve, faturimi dhe inkasimi”, ka thënë Kurti, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë shërbim shtesë në fushën e distribucionit.

Çfarë parasheh tjetër marrëveshja?

Sipas marrëveshjes së arritur më 2013, punëtorët e “Elektrokosmet” (kompani serbe për energji në veri të Kosovës) duhet të inkuadrohen në kompaninë e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, ose duhet t’iu ofrohet punësim në KEDS.

Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga kjo kompani serbe.

Kosova e konsideron “Elektrokosmet-in” e Serbisë si kompani ilegale.

Çfarë thonë banorët e veriut të Kosovës?

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qytetarët e veriut furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë.

Kjo ka ndodhur për shkak të refuzimit të strukturave të ndryshme të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që kanë operuar në atë pjesë, por edhe për shkak të mosbindjes qytetare.

Nga përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë vazhdimisht ka pasur deklarata kundërthënëse se kush e furnizon veriun me rrymë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) ka thënë se furnizimi bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës, por, sipas zyrtarëve serbë, rryma në veri arrin nga Elektro-rrjeti i Serbisë.

Disa qytetarë të pjesës veriore të Kosovës, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë javë më parë, kanë thënë se e përkrahin idenë që të rregullohet çështja e furnizimit me energji elektrike, por disa nga ta thonë se do të donin që pagesën ta bënin në Serbi, e jo në Kosovë.

“Në cilindo rast, më shumë dua që ta paguaj energjinë sesa mos të kemi fare – të them të drejtën. Unë jam për këtë, më mirë të paguhet”, ka thënë Dragica Vulliç.

Një qytetar tjetër i Mitrovicës së Veriut, i cili prezantohet vetëm me emrin Millosh, ka thënë se nuk do të donte ta paguante energjinë elektrike për ndonjë institucion të Kosovës.

“Një rend duhet të ekzistojë… por më parë do t’ia paguanim shtetit tonë [Serbisë], sesa Qeverisë së Kosovës. Nuk e di, më duket se gjithnjë e më shumë po na shtyjnë drejt duarve të Prishtinës”, ka thënë Milloshi.

Sipas Millanit, çështja e pagesës së rrymës tani është e pakuptimtë.

“Nuk e di, por mendoj se tash kjo është e pakuptimtë për arsye politike”, është shprehur ai.

Sa janë humbjet?

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh vetëm në vitin 2021.

Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT-i.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i.

KOSTT është kompani publike e Kosovës me 100 për qind të aksioneve shtetërore./REL