Nga Mero Baze/

Ka një zhgënjim nga mbështetësit e Albin Kurtit në Shqipëri, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Prishtinë, të cilën e quajnë si rast të humbur të Albin Kurtit për të mundur Edi Ramën dhe qeverinë e Shqipërisë .
Zhgënjimi i ka rrënjët tek bindja që kanë krijuar opozitarët e Shqipërisë se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë qeverinë e Shqipërisë një armik ideologjik të tyre, për shkak të aleancës që patën vendosur më 2019 me Sali Berishën dhe Ilir Metën duke u rreshtuar bashkë me ta në një front opozitar.

Bën sa mundën të shpikin një bisedë qesharake në Ohër kur një njeri i Berishës kishte dëgjuar Edi Ramën se do rrëzonte Albin Kurtin. Edhe pse fantazia dukej shumë e nivelit te Çim Pekës, kishin besim që do ta ndërsenin Albin Kurtin kundër qeverisë në Prishtinë. Nuk po flas për Vjosa Osmanin se ajo është 24 orë e eksituar kundër Shqipërisë.

Aleanca e panatyrshme e Albin Kurtit me Berishën dhe Metën buronte nga arsye të ndryshme nga të dy palët. Berishës dhe Metës i duhej Albini si një luftëtar fitimtar në Prishtinë me flamurin antikorrupsion, ndërsa Albinit i duhej Berisha dhe Meta si aleat kundër Edi Ramës me qëllim që të mos kishte në hapësirë shqiptare dikë që e rivalizonte sipas mendjes së tij. Deliri i tij për tu bërë një lider mbarëkombëtar, e shikonte Berishën dhe Metën si mekanizëm për të krijuar një pushtet të vetin në Shqipëri.

Për këtë arsye ai e injoroi faktin që qeveria e cila premtonte se do të luftonte korrupsionin në Prishtinë dhe do të bënte betejë me oligarkët, hyri në aleancë politike me dy figura simbol të korrupsionit në botën shqiptare, njëri prej të cilëve, Sali Berisha është i damkosur familjarisht nga SHBA si i përfshirë në korrupsion madhor bashkë me gruan dhe fmëijët.

Por Albin Kurti e humbi atë betejë më keq se Berisha e Meta. Por opozitarët e Shqipërisë para se të zhgënjehen nga ALbin Kurti që nuk e mundi dot Edi Ramën, duhet të zhgënjehen nga udhëheqësit e tyre të cilët janë mundur tri herë resht nga Edi Rama dhe nuk i dihet fundi. Albin Kurtit, Berisha e Meta i duheshin që t’iu nxirrte Edi Ramën nga skena politike, nuk i duheshin për të ardhmen e Shqipërisë apo opozitës shqiptare.