Rreth 50 mijë euro do të harxhojë spitali Memorial i Fierit për marrjen me qira të tre makinave të cilat do përdoren për transportin e stafit turk që do punojë aty.

Periudha e kontratës është 1 vjeçare. Dy prej makinave do të jenë 5 vendëshe dhe e treta do jetë një furgon që transporton 15 persona.

38 do të jetë numri maksimal i personave që do të transportohen me këto mjete.

Ky nuk është shpenzimi i vetëm që qeveria shqiptare do të kryejë për mjeket dhe infermierët turq që do punojnë në spitalin e ri të Fierit.

Rreth 300 mije euro do të harxhohet për akomodimin në hotel të këtij stafi për një vit.

Por ky tender u anulua pasi nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme, ndërsa pritet që të rihapet sërish.

Trajtimi i stafit turk në këtë spital nuk është i njëjtë me atë të stafit shqiptar, sipas marrëveshjes së bërë mes dy qeverive.

Mjekët, infermierët apo administrata turke përfiton shpërblime mujore nga qeveria jonë gati trefishi i pagës së kolegëve të tyre shqiptarë në spitalit të ri.

Euronews Albania ka krahasuar diferencën mes pagës së punonjësve shqiptarë dhe shpërblimit që i jepet të stafit turk.

Një mjek turk merr 305 mijë lekë, kryeinfermieri 227 mijë dhe infermieri 181 mijë.

Ndërsa një mjek shqiptar merr 80 mijë lekë, kryeinfermieri 56 mijë lekë dhe infermieri 53 mijë.

Spitali memorial i Fierit u inaugurua pak para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe financim i qeverisë turke.