Qeveria ‘Rama’ ka miratuar rritjen më të madhe të pagave të ushtarakëve gjatë 30 viteve të pluralizmit. Pagat e ushtarakëve do të rriten me 30% nga data 1 korrik 2022, ku paga më e ulët do të jetë 51 mijë lekë në muaj ose rreth 500 USD. Kjo është rritja më madhe, por jo e vetmja e pagës së ushtarakut gjatë 9 viteve të fundit.

Në 10 korrik të vitit 2020, qeveria vendosi një shtesë prej 10 mijë lekësh të vjetra në pagat e ushtarakëve, në formë kompensimi për ushqimin.

Në prill 2019, pagat e ushtarakëve u rritën me 17 % sipas kategorive. Sipas vendimit të qeverisë të 2019, paga më e ulët, që i përkiste “ushtarit të parë” u rrit në 39.300 lekë nga 33.600 lekë që ishte në muaj.

Në mars të vitit 2017, pagat e ushtarëve u rritën sërish me vendim qeverie me 0.5 % për çdo vit vjetërsi pune, 0,5 % për çdo vit pune, por jo më shumë se 15 vjet.

Në korrik të vitit 2015, u rritën me 70-80 % pagat e ushtarakëve që shërbejnë në forcën ajrore të Shqipërisë. Nga ky vendim përfituan rritje page 7 kategori ushtarakësh që shërbejnë në forcën ajrore, duke nisur që nga pilotët, mekanikët/teknikët e bordit, infermierët, inxhinierët, kontrollorët e trafikut, teknikët e avionëve dhe helikopterëve. Kjo rritje sipas kategorisë shkonte nga 30 deri në 40 mijë lekë të rinj.

Në mars të vitit 2015, hyri në fuqi vendimi i qeverisë ‘Rama’, për trajtimin me ushqim të ushtarakëve. Vendimi rikthente të drejtën e ushtarakëve, për t’u trajtuar me ushqim ose kompensim nga 2 000 lekë në muaj deri në 4 000 lekë në muaj.

Trajtimi me ushqim i ushtarakëve ishte hequr nga qeveria Berisha në gusht të vitit 2013, paka para se të largohej nga pushteti.