“Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armë në luftën kundër Rusisë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.” Kështu është shprehur nga Madridi kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Është mirë që vendet që janë mbledhur këtu, por edhe shumë të tjerë, japin kontributin e tyre në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet – duke ofruar mjete financiare, ndihmë humanitare, por edhe duke ofruar armët që Ukrainës i duhen urgjentisht,” tha Scholz për mediat teksa mbërriti takimin e radhës të samitit të NATO-s.

“Mesazhi është: Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për aq kohë sa është e nevojshme për t’i mundësuar Ukrainës të mbrohet,” shtoi ai.