Kërkesa në rritje e Kinës për naftën ruse me çmim të ulët e ka bërë atë financuesen kryesore të luftës së Kremlinit në Ukrainë, duke i dhënë Moskës një burim të qëndrueshëm të ardhurash që zbut ndikimin e sanksioneve të ashpra perëndimore ndaj ekonomisë së saj.

Katër muaj pas pushtimit rus në Ukrainë, Kina e ka kaluar Gjermaninë si blerësja më e madhe e karburanteve ruse, me shitjet e naftës në Kinë – dhe Indi, një tjetër vend aziatik që po blen naftë nga Rusia – duke ndihmuar kështu në mbushjen e boshllëkut të lënë nga Evropa, tregu më i madh i eksporteve ruse.

Çdo ditë për muajin maj, Kina dhe India kanë blerë së bashku rreth 2.4 milionë fuçi naftë ruse bruto, sa gjysma e totalit të eksporteve të Rusisë.

Pavarësisht se janë shitur me një ulje të konsiderueshme, blerjet — së bashku me rritjen e çmimeve të naftës — kanë lejuar që të ardhurat ruse të rriten përballë presionit perëndimor dhe i kanë dhënë Moskës një frymëmarrje të domosdoshme financiare për të vazhduar financimin e luftës së saj.

Blerja e naftës së lirë ruse i ka lejuar Kinës të diversifikojë rezervat e veta dhe i ka dhënë Indisë një rrjedhë fitimprurëse duke rieksportuar karburante të rafinuara nga nafta e papërpunuar ruse. Aktualisht, blerjet nuk rrezikojnë të shkaktojnë sanksione dytësore, ndërsa bllokimi aktual i naftës ruse nga ana e Bashkimit Evropian mbetet i pjesshëm, por gatishmëria e Pekinit dhe Nju Delhit për të blerë naftë ruse do të vihet në provë më vonë këtë vit, pasi të hyjnë në fuqi masat më të rrepta.

Ndërkohë, presidenti kinez, Xi Jinping, priti në një samit virtual më 22-23 qershor liderët e Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, të njohur kolektivisht si ‘BRICS’, ku ai kritikoi sanksionet perëndimore duke i cilësuar si “armatim” të ekonomisë globale dhe bëri thirrje që grupimi të punojë më ngushtë mes tyre.

Gjatë fjalimit të tij në samit, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se vendet BRICS-it po “zhvillojnë mekanizma të besueshëm alternativë për pagesat ndërkombëtare” dhe “janë duke eksploruar mundësinë e krijimit të një monedhe rezervë ndërkombëtare, të bazuar në shportën e valutave të BRICS-it”.

Por, sa mund të mbështetet Moska në tregjet dhe partnerët joperëndimorë, si Kina dhe India, për ta ndihmuar atë të përballet me pasojat e sanksioneve?

Për të zbuluar më tepër, Radio Evropa e Lirë foli me Maria Shagina, një bashkëpunëtore në Institutin Ndërkombëtar të Britanisë për Studime Strategjike (IISS).

Radio Evropa e Lirë: Gjatë rrjedhës së luftës në Ukrainë, Kina është bërë tashmë blerësi më i madh i naftës ruse. Çfarë do të thotë kjo për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kinës dhe Rusisë dhe a është kjo një shenjë e thellimit të partneritetit të tyre apo Pekini thjesht po bën një lëvizje oportuniste për të blerë energji më lirë?

Maria Shagina: Ne kemi dëgjuar në shumë raste se Rusia dhe Kina kanë krijuar një partneritet “pa kufij” dhe së fundmi [më 15 qershor], Xi përsëriti mbështetjen për bashkëpunimin e ndërsjellë me Rusinë.

Por, ne e dimë se retorika dhe veprimet e Kinës ndryshojnë shumë dhe kjo ka qenë e qartë që nga viti 2014 [kur Pekini dhe Moska thelluan lidhjet e tyre me një ritëm më të shpejtë]. Kina është e etur të përfitojë nga izolimi i Rusisë, përfshirë blerjen e lirë të naftës bruto ruse. Por, kur bëhet fjalë për shkeljen e sanksioneve perëndimore, sektori privat kinez është zakonisht mjaft i kujdesshëm.

Në këtë rast, ne ende nuk kemi sanksione [Perëndimore] mbi naftën ruse dhe embargoja e naftës nga Bashkimi Evropian do të nisë më 5 dhjetor. Pra, ka ende një periudhë të largimit para se të hyjnë në fuqi sanksionet dhe kjo është koha për Kinën — dhe gjithashtu Indinë — për të kapitalizuar të gjithë naftën e lirë që mund ta blejnë nga Rusia.

Radio Evropa e Lirë: Përveç blerjes së naftës, Kina është treguar shumë e kujdesshme kur vjen puna për të shmangur sanksionet dytësore të vendosura ndaj Rusisë nga Perëndimi. A duhet të presim që Pekini t’i japë më shumë mbështetje të hapur Rusisë në të ardhmen, veçanërisht kur bëhet fjalë për teknologjinë e përparuar si gjysmëpërçuesit?

Maria Shagina: Qëndrimi balancues i Kinës është shumë delikat dhe, ndërsa lufta përparon, do të jetë më e vështirë për Pekinin të mbajë këtë pozicion të të ashtuquajturit “neutraliteti pro-rus”, ku ata janë zyrtarisht neutralë, por anojnë kah Rusia.

Që nga viti 2014, Rusia ka pasur pritshmëri mjaft të mëdha që Pekini të ndërhyjë për të ndihmuar [me] këtë situatë shumë të vështirë [financiare] për Moskën. Kremlini që atëherë ka pasur një vlerësim më të matur për sa i përket çështjes se sa ndihmë mund të pritet realisht nga Kina, por edhe tani Rusia është mjaft e zhgënjyer me mungesën e mbështetjes nga Kina.

Ne e dimë se kishte pakënaqësi nga pala ruse kur bëhej fjalë për mungesën e mbështetjes kineze për sa i përket ndihmës financiare dhe transfereve të teknologjisë pas hyrjes në fuqi të sanksioneve [pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt]. Këto janë dy fushat ku Rusia tani është shumë e varur nga Kina dhe vendet e tjera të paangazhuara për mbështetjen e tyre dhe Kina do të jetë një nga vendet kryesore që duhet vëzhguar kur vjen puna për të ndihmuar në zbutjen e ndikimit të sanksioneve. Kjo nuk ka të bëjë vetëm nëse Pekini do të ofrojë ose jo ndonjë ndihmë financiare, por edhe nëse do të ofrojë ndonjë teknologji që tani është nën sanksione, si çipat dhe gjysmëpërçuesit.

Mësimet që nxjerrim nga viti 2014 na tregojnë se sektori privat kinez është i prirë të qëndrojë larg rreziqeve, sepse është shumë i varur nga dollari amerikan për transaksionet dhe tenton të qëndrojë larg subjekteve të sanksionuara ruse dhe madje qëndron në përputhje me sanksionet për të qenë tepër i kujdesshëm. Pra, në situatën aktuale ku kemi një numër të paprecedentë sanksionesh për sa i përket shtrirjes dhe ashpërsisë së tyre, do të thosha se do të ketë edhe më shumë sjellje kundërshtuese ndaj rrezikut nga sektori privat kinez.

Por, duhet të jemi të vetëdijshëm se institucionet e mbështetura nga qeveria sillen ndryshe. Në vitin 2014, bankat kineze si Banka e Eksport-Importit të Kinës dhe Banka e Kinës për Zhvillim, punuan me kompani [ruse] si Novatek, e cila është prodhuesi i dytë më i madh i gazit natyror në Rusi, për të financuar projekte. Pra, ka vend për të mbështetur subjektet dhe personat e sanksionuar, por duhet të jemi të kujdesshëm ndaj shtrirjes së kufizuar të kësaj mbështetjeje.

Radio Evropa e Lirë: Xi Jinping priti samitin e BRICS-it dhe tha se grupimi është i rëndësishëm për ekonominë globale, ndërsa komentuesit rusë kanë thënë vazhdimisht se grupimi është vendimtar për zbutjen e sanksioneve perëndimore. A i jep lufta në Ukrainë një mundësi që më në fund ky grupim të realizojë potencialin e saj dhe të luajë një rol më të spikatur?

Maria Shagina: Mendoj se në mënyrë retorike ka një narrativë shumë të fortë për t’iu kundërvënë Perëndimit, veçanërisht Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, lidhur me përdorimin e tyre të njëanshëm të sanksioneve që nuk janë mbështetur nga OKB-ja.
India është një shembull tjetër [brenda BRICS-it] ku Rusia është gjithashtu e prirë të zgjerojë bashkëpunimin, por ne nuk kemi parë shumë përparim përtej blerjes së naftës.

Për shembull, Rusia hodhi idenë për të përdorur mekanizma të ndryshëm për sistemet e pagesave dhe alternativa ndaj SWIFT-it, që është bllokuar dhe s’mund të përdorë prej sanksioneve. Por, asnjë nga këto nisma nuk ka marrë hov dhe ato mbeten kryesisht të fjetura.

Unë mendoj se samiti ishte një mundësi për t’i rezistuar hegjemonisë së SHBA-së, por mbetet për t’u parë nëse kjo do të materializohet në diçka më të madhe.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë gjë që prisni të ndodhë në lidhje me përfshirjen ekonomike të Kinës me Rusinë që ndoshta mendoni se do të vijë ose ia vlen të mbahet në vëmendje?

Maria Shagina: Një aspekt janë gjysmëpërçuesit dhe transferimi më i gjerë i teknologjisë. Kjo është diçka që ia vlen të vëzhgohet për të parë nëse Kina do ta ndihmojë Rusinë. Deri më tani, siç kanë thënë zyrtarët amerikanë, nuk ka pasur mbështetje sistematike nga ana e Kinës, por nuk është çudi nëse Kina do të jetë e gatshme t’i furnizojë ato për të zbutur këtë presion nga sanksionet teknologjike ndaj Rusisë duke pasur parasysh nivelin e partneritetit që të dyja vendet kanë.

Aspekti tjetër që ia vlen të shikohet është nëse kompanitë kineze do të ndihmojnë në sigurimin e pajisjeve energjetike për gazin natyror të lëngshëm (LNG) dhe pajisjet e LNG-së që BE-ja i ka ndërprerë dhe që Rusia nuk mund t’i zëvendësojë vetë.
Që nga viti 2014 kompanitë kineze inxhinierike kanë furnizuar deri në 80 për qind të këtyre pajisjeve, kështu që ka gjasa që Kina të ndërhyjë për të forcuar pozicionet e saj dhe potencialisht për të ofruar financime shtesë për projektet [energjetike] të mbështetura nga Kina në Arktik.