Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të enjten tërheqjen nga ishulli i Gjarprit, një territor i Ukrainës në Detin e Zi.

Rusia e kishte përdorur ishullin pranë qytetit-port të Odesës, si bazë operacionet e saj, pasi e pushtoi atë në fazat e hershme të agresionit. Forcat ukrainase i kanë goditur vazhdimisht forcat ruse në këtë ishull.

Rusia këmbëngul se tërheqja ishte një “gjest i vullnetit të mirë” për të mos penguar, siç tha, përpjekjet e OKB-së për të krijuar një korridor për eksportimin e drithërave ukrainase.

Shefi i kabinetit të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiyy, Andriy Yermak, konfirmoi tërheqjen e forcave ruse nga ishulli.

Në një postim në Twitter ai shkruante se Forcat e Armatosura të Ukrainës bënë një punë të shkëlqyer.

Po sot (e enjte), Britania njoftoi një ndihmë të re prej një miliard dollarësh për Kievin.

Zyra e kryeministrit Boris Johnson tha se paratë do të shkojnë për sigurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, mjeteve ajrore pa ekuipazh, si dhe pajisje jetike për trupat ukrainase. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u shpreh mirënjohës për ndihmën në fushën e sigurisë dhe e quajti Britaninë një “mik të vërtetë e partner strategjik”.