Për raportimin e tyre nga Mariupoli, gazetarët Mstyslav Chernov dhe Evgeniy Maloletka u nderuan me çmimin e Deutsche Welles, Freedom of Speech Award në kuadër të GMF. Të dy gazetarët duan të kthehen në front.

“Nga të gjitha ato që kam parë në Mariupol më ka mbetur një pamje në kujtesë: kufoma e një foshnjeje që ndodhej në bodrumin e një spitali.” Mstyslav Chernov përshkruan skenën në bisedë me Deutsche Welle. Ky ka qenë regjistrimi i fundit në Mariupol. Në të njëjtën ditë, Mstyslav u largua nga qyteti i pushtuar. “Ne po filmonim në një spital, kur një mjek erdhi tek unë dhe m’u lut ta ndiqja në oborrin e pasmë”, raporton Mstyslav Chernov. “Aty pashë papritur duzina kufomash, shtrirë përtokë, të mbështjellë në thasë plastikë apo qilima. Ishin kufoma civilësh të vrarë në bombardime. “Mes tyre ishte aty një paketë e vogël. Mjeku u përkul përpara e hapi dhe pashë trupin e vogël të një foshnjeje. Përbri një letër, ku thuhej, se ky foshnje ishte vetëm 23 ditë.”

Mstyslav Chernov është gazetar i agjencisë së lajmeve, Associated Press. Ai dhe kolegu i tij prej vitesh, fotoreporteri Evgeniy Maloletka, u nderuan me Freedom of Speech Award të Deutsche Welle-s për raportimin e tyre nga Mariupoli në shkurt dhe mars. Të dy gazetarët mbërritën në qytetin port, para marshimit të trupave ruse në Ukrainë dhe raportuan nga aty tre javë, deri sa u evukuuan nga mesi i marsit nga qyteti.