Një raport i botuar nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar ka nxjerrë në pah lidhjen mes tifozëve të njohur si ‘Ultras’ të skuadrave lokale dhe lidhjet e tyre me politikën dhe krimin e organizuar.

I titulluar “Lojëra të rrezikshme – Huliganizmi në futboll, politika dhe krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor”, raporti kujdeset të jetë i qartë në ndryshimin midis ‘ultrasve’ – grup tifozësh të përbetuar ndaj skuadrës së zemrës dhe ‘huliganëve’ – të përfshirë në akte dhune dhe krimin e organizuar.

Sipas këtij raporti, rastet e huliganizmit janë më të shpeshta në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë, kjo për shkak të numri më të lartë të incidenteve regjistruar në këto dy shtete.

“Në disa raste, kryerja e një akti të dhunshëm është pjesë e inicimit në grupin ultras”, shkruan raporti duke dhënë një shembull konkret të hapave të parë drejt anëtarësimit në një prej grupeve të tifozëve të Beogradit.

“Për t’u bërë anëtar i grupit famëkeq ‘Forca e Bashkuar’ në Beograd, është e traditës të plagoset dikush me thikë”

“Ndërsa për tu ngritur në radhët e ultrasve ‘Principi’, një prej grupeve kriminale më të paskrupullt në Serbi, një anëtar duhet të gjakosë një tjetër anëtar të grupit duke e plagusur rëndë atë në mënyrë që të krijojë besim në mesin e grupit”.

“Përmes këtyre akteve të dhunës, ku bëjnë pjesë dhe shkatërrimi i pronës, plagosja e në disa raste edhe vrasja, tranzicioni drejt grupeve të mirëfillta të krimit të organizuar bëhet shumë i lehtë”.

Në raport identifikohen edhe disa prej grupimeve nga qytetet kryesore shqiptare, përfshi ‘Ultras Guerrils’ të KF Partizanit dhe ‘Tirona Fanatics’ të KF Tirana.

Grupet e ultrasve në Shqipëri

Megjithatë, raporti thekson se nuk ka gjetur mjaftueshëm prova për të lidhur grupet e ultrasve dhe huliganëve në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi me grupet e krimit të organizuar.

Autorët kanë analizuar 122 grupe tifozësh në rajon, ku kanë identifikuar 78 grupe ‘Ultra’ dhe 21 të tjerë të përfshirë në akte ‘huliganizmi’ të cilët janë të lidhur me aktorë politikë dhe krimin e organizuar.