Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Kulturës, Elva Margariti mori pjesë në prezantimin e nismës “Art në hapësira publike”, një financim i qeverisë shqiptare në vlerën 200 milionë lekë.

Në fjalën e tij Kryeministri u shpreh se të gjithë ata që kanë nevojë për më shumë informacion, mund ta gjejnë në faqen përkatëse të Ministrisë së Kulturës dhe qëllimi është që të ndërhymë në hapësirat publike duke krijuar një impakt.

“Ashtu sikundër, objektivi apo ambicia është që ky të jetë një program i përvitshëm i qeverisë, të shtrihet jo vetëm në hapësirat publike, siç janë në këtë rast, kryesisht të infrastrukturës rrugore, por edhe në hapësirat publike të jashtme dhe të brendshme të institucioneve. Është një program që do të kërkojë edhe testin e eksperiencës për të parë sesi do të eci, çfarë do të mund të përmirësohet, cilat do të jenë sugjerimet apo kritikat e komunitetit të artistëve lidhur me bëshmërinë e tij më cilësore.”

Më tej Kryeministri vijoi duke shprehur se natyrisht, që për të garantuar qëndrueshmërinë e programit do të jetë mirë që t’i japim formë një strukture të posaçme institucionale të artit në hapësirat publike. Patjetër, që programi ka edhe qëllimin dhe shpresoj edhe efektin e stimulimit të skenës artistike edhe të mbështetjes së vetë aktorëve e protagonistëve të kësaj skene artistike.

Rama shtoi duke u thenë se kam shumë besim që me përfshirjen e artistëve që kanë talentin dhe profesionalizmin e duhur, impakti në hapësirën publike dhe në të gjithë ato pika që rrihen nga shumë sy dhe janë në mes njerëzve do të jetë i rëndësishëm.